2016-07-28 11:21:00

Papa, të rinjve italianë: ndërtoni ura ndërmjet njerëzve


Në Poloni, të rinjtë italianë organizuan mbrëmë një takim me muzikë, quajtur “Live da Cracovia”. Kulmi i tij u arrit në lidhjen e drejtpërdrejtë me video, gjatë së cilës Papa Françesku iu përgjigj pyetjeve të tre të rinjve. Ati i Shenjtë, duke folur për të rinjtë e gjithë botës e jo vetëm për ata italianë, i këshilloi ta kapërcejnë dhimbjen e shkaktuar nga plagët e jetës, të mos bien pre e “terrorizmit të thashethemeve” dhe të ndërtojnë ura paqeje.

         Frika është traumë, që lë plagë, por mos rreshtni së shikuari drejt horizontit, me dëshirën për të shkuar përtej. Kështu u tha Papa të rinjve, duke iu përgjigjur një vajze, e cila i tregoi se krejt rastësisht nuk kishte hipur në njërin prej dy trenave, që u përplasën më 23 korrik në Pulia të Italisë. Bilanci: 23 të vdekur.

Urtia arrtin t’i kuptojë plagët

         Vajza njihte njërin prej makinistëve e nënvizoi sa e kishte turbulluar aksidenti. Ja përgjigjja e Papës:

         “Ajo që të ka ndodhur ka hapur një plagë; disa janë plagosur në trup në aksident, ndërsa ti je plagosur në shpirt, në zemër. Kjo lloj plage quhet “frikë”… Kjo tronditje të bën keq, por të jep edhe mundësinë të ecësh përpara, të shohësh përtej…Jeta është plot plagë. E urtia njerëzore na bën të ecim përpara me gjërat e bukura e me gjërat e shëmtuara të jetës”.

Terrorizmi i thashethemeve

         Kundër atij, që Papa e quajti “terrorizmi i thashethemeve”, arma më e mirë është falja. Françesku iu përgjigj kështu një vajze ardhur në Itali që e vogël e viktimë e bullizmit, deri në atë pikë sa kishte provuar edhe të vriste veten:

         “Mizoria – i tha Ati i Shenjtë – është qëndrim njerëzor, në bazën e të gjitha luftrave, të të gjithave. Mizoria, që nuk e lë tjetrin të bëjë jetën e vet, që e vret tjetrin… Thashethemet janë terrorizëm. Duhet t’i mundim. Si fitohet mbi to? A mund të falim plotësisht? Ky është hir, që duhet t’ia kërkojmë Zotit. Ne, vetëm me forcat tona, nuk mund ta bëjmë. Falja është hir, që ta jep Zoti. Por ka një qëndrim, që mund të mbajmë kundër terrorizmit të fjalëve, të thashethemeve e të sharjeve: është butësia, si ajo e Jezu Krishtit”.

Urat bashkojnë, muret ndajnë

         Pyetjes së tretë të një të riu, që kishte qenë në Mynih të Bavierës më 22 korrik, kur ndodhi atentati, që u kushtoi jetën 10 vetëve, Ati i Shenjtë iu përgjigj se vetëm ndërtimi i urave ndërmjet njerëzve çon drejt paqes:

         “Paqja ndërton ura, urrejtja është ndërtuese e mureve. Duhet të zgjedhësh në jetë: o bëj ura, o bëj mure. Muret ndajnë e urrejtja shtohet… Urat bashkojnë. Kur ia shtrëngon dorën një miku, një personi, ndërton një urë njerëzore. Ndërsa, kur e godet tjetrin, kur e fyen, ti ndërton një mur. Unë dua të shoh shumë ura njerëzish… Ja kështu: çojini lart duart… Ky është programi i jetës: bëni ura, ura njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.