2016-07-28 15:24:00

Jehona e shtegtimit të Papës në shtypin polak, 28 korrik


Gazeta Krakowska, e përditshme e Krakovit, boton një fotografi të Papës, që mbulon gjithë faqen e parë, shoqëruar me titullin: “Papa polakëve: pajtim, Zot, shpresë”. Gjashtë faqe kushtuar vizitës së Papës dhe DBR-së. Shumë foto të Françeskut në Wawel dhe të të rinjve të Çestokovës. Një mori artikujsh mbi ditën e djeshme, shtegtarët, ç’bëjnë, ç’ vende vizitojnë… Në dy faqet e para, një kronikë e hollësishme për ngjarjet e ditës së parë të Papës në trojet polake. 

Rzeczpospolita, një nga gazetat më të lexuara në Poloni, boton foto të Papës Françesku, presidentit dhe bashkëshortes së tij në Wawel. E titullon shkrimin: “Papa Françesku inkurajon, por edhe qorton”. I kushton vizitës 5 faqe. Në faqen 3, shumë foto të ditës së parë, me titullin: “Papa, jam i kënaqur që gjindem këtu!”. Ka edhe artikuj kushtuar pagëzimit të Polonisë dhe përgatitjes së Meshës në Çestokova. Flitet për sigurinë e për shiun, posaçërisht për  ngjarjet përfundimtare me të rinjtë. Botohet një intervistë e gjatë me imzot Gadeckin, kryetar i Konferencës ipeshkvnore polake.

 Dziennik Polski, gazetë kombëtare me seli në Krakov nis me fotografinë e madhe të Papës në faqen e parë. Titulli: “Françesku arriti në Franciszkanskiej (rruga ku ndodhet kryeipeshkvnia, shumë e njohur  lidhur me Wojtylen). Shtatë faqet e para i kushtohen DBR-së dhe vizitës së Papës. Shumë foto të vizitave të të rinjve. Nënvizohet se Françesku, para se të nisej për Romë, u  lut pranë varrit të Shën Gjon Palit II. Bie në sy artikulli: “Polonia mund të mbështetet gjithnjë në Kishën katolike” dhe shkrimi mbi vizitën e mundshme të Papës kardinalit Macharski, që është shumë i sëmurë. Botohet edhe një intervistë e Atë Lombardit për takimin e Papës me ipeshkvijtë, në të cilën nënvizohet gjuha e thjeshtë e bisedimeve.  Ka edhe artikuj për të rinjtë, që flasin për dhunën në Evropë. Faqet 4-5 mbushen me pamje të të rinjve në Krakov.

Gazeta Wyborcza, e përditshme kombëtare e orientimit të pafavorshëm për Kishën, paraqet në faqen e parë Papën në Wawel që, me titullin, zë një gjysëm faqeje. Në faqen 3, një shkrim i gjatë për ditën e parë, shoqëruar  nga foto të Papës me presidentin Duda. Flitet për një mirëseardhje jo rastësore, sepse Papa foli për problemet e Polonisë, posaçërisht për emigrantët. Në faqen 3, një artikull kushtuar Papës dhe refugjatëve. Në faqet lokale të gazetës, ka shumë foto të Papës në kryeipeshkvni. Bie në sy artikulli, që flet për Festivalin e të rinjve, të cilët ia ndryshuan faqen Krakovit. Nuk mungon edhe një shkrim kritik për sjelljen e disa ministrave, që po e përdorin DBR-në për propagandë politike. Gjithnjë në faqet lokale, intervista e kryebashkiakut të Krakovit, mbi probleme të ndryshme. Shkruhet, natyrisht, edhe për policinë, sigurinë e shtegtarët. 








All the contents on this site are copyrighted ©.