2016-07-27 12:26:00

Francë: identifikohet njëri nga dy vrasësit e atë Hamel


Identifikohet njëri nga dy vrasësit, që  sulmuan kishën e Saint Etienne du Rouvray, pranë Rouen, duke marrë peng besimtarët, duke therur atë Jacques Hamel e duke himnizuar Is.  Ishte nëntëmbëdhjetëvjeçari Adel Kermiche, i njohur nga antiterrorizmi. Ndërkaq është jashtë rrezikut pengu tjetër i plagosur. Presidenti francez Hollande theksoi: “Terrorizmi duhet shpartalluar me të gjitha mjetet, por gjithnjë në kuadrin e shtetit të së drejtës”.

Kermiche ishte i lirë nën mbikqyrje, pas një burgimi prej 11 muajsh, mbasi qe përpjekur dy herë të shkonte për të luftuar në Siri. Shokët e tij të shkollës, duke folur për mediat franceze, pohuan se lidhja e tij me terrorizimin njihej nga të gjithë. Madje ai betohej haptazi mbi Kuranin se do të sulmonte ndonjë kishë. Ky, identiteti i të parit, ndërsa mungon ai i të dytit. Dje u arrestua edhe një i mitur, ndoshta vëllai i vrasësit të dytë.  Policia gjeti një rrip të rremë shpërthyes, lidhur në përmjetin e njërit prej të dyve, si dhe tri thika, ndërsa tjetri kishte një çantë me lëndë false shpërthyese.

Presidenti Hollande mblodhi sot Këshillin e mbrojtes kombëtare, ndërsa Papa Françesku, në një telefonatë, theksoi: “Kur sulmohet një prift, plagoset e gjithë Franca”. Pas atentatit nisën polemikat e ndezura të opozitës. Nicolas Sarkozy pohoi se tani duhet ndryshuar gjithçka, ndërsa Front National i Marine Le Pen bubullon kundër atyre, që i quan “denglat e qeveritarëve” .

Kujtojmë se dy vrasësit e Saint Etienne du Rouvray hynë brutalisht në kishë, të armatosur me thika, duke folur arabisht. Kushtrimin, që krijoi mundësinë për të arritur shumë shpejt forcat speciale të sigurisë, e dha një rregulltare, e cila mundi të ikë menjëherë nga kisha. Motra u tregoi mediave se atë Hamel, para se të therej në fyt nga terroristët, që thoshin se po veprojnë në emër të Is, u detyrua të gjunjëzohej. Meshtari reagoi, ndërsa dy vrasësit mbanin një lloj predikimi në gjuhën arabe dhe e filmonin fundin tragjik të tij. Shteti i vetëshpallur Islamik e pranoi autorësinë e sulmit përmes agjencisë Amaq, duke pohuar se dy kriminelët ishin ushtarë të Is.








All the contents on this site are copyrighted ©.