2016-07-27 18:00:00

Françesku në Krakov: humanizmi evropian i ka rrënjët në krishterim


Takimi i parë me tokën polake, ishte ai në Aeroportin Ndërkombëtar “Gjon Pali II” të Balice-Krakov,  drejt të cilit Papa u nis në orën 13.30 nga aeroporti romak i Fiumicinos e arriti rreth orës 16.00. Për ta pritur kishin dalë presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda së bashku me kardinalin Stanislaw Dziwisz dhe autoritete të tjera të Shtetit e të Kishës, ndërmjet të cilëve, edhe dy fëmijë. Ishte ceremoni zyrtare, me himnet, nderimet ushtarake dhe paraqitjen e dy delegacioneve, pa fjalime zyrtare.

Fjalën e parë Papa ia drejtoi Polonisë gjatë takimit me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik, në Wawel. Takimi nisi me përshëndetjen e Presidentit të Republikës, drejtuar Papës, pasuar nga përgjigjja e Françeskut.

Kujtimi i bijve të shquar të Polonisë, duke nisur nga Gjon Pali II,  dëshira e Papës polak për ta parë Evropën duke marrë frymë me të dyja mushkëritë,  kujtesa historike, e mirë dhe e keqe, që ia mbyll ose ia hap  rrugën ardhmërisë, emigracioni i polakëve, parë si rrugë që ka kthim, nëse Atdheut i dhemb largimi i tyre, roli i rëndësishëm i Kishës dhe gatishmëria e saj për bashkëpunim, e, sidomos, besimi e shpresa në Zotin, që ka në dorë fatet e popujve: këto, temat kryesore, që u prekën nga Françesku, në fjalimin e parë, i cili nuk mund të mos niste me kujtimin e njërit prej bijve më të mëdhenj të tokës polake: Gjon Palin II:

“Është hera e parë që vizitoj Evropën qendro-lindore, e jam i kënaqur që filloj nga Polonia, e cila pati, ndërmjet bijve të saj, të paharruarin Gjon Pali II, shestues e nismëtar i Ditëve Botërore të Rinisë. Ai dëshironte të fliste për një Evropë, që merr frymë me dy mushkëri, sepse ëndërra e humanizmit të ri evropian frymëzohet pikërisht nga frymëmarrja krijuese e këtyre dy mushkërive dhe nga qytetërimi i përbashkët, me rrënjët  më të kërthndezta në kristianizëm”.

Këto, fjalët e Françeskut, sapo shkeli në tokën polake.  

Roli i kujtesës në historinë e një populli

Më pas Papa u ndal tek roli i kujtesës, që e dallon popullin polak, ashtu si e dallonte Gjon Palin II që, kur fliste për popujt, nisej gjithnjë nga historia e tyre, për të vënë në pah thesaret e humanizmit e të përshpirtërisë. Vetëdija e identitetit, e lirë nga komplekset e epërsisë, është e domosdoshme për të organizuar një bashkësi ndërkombëtare mbi bazën e trashëgimisë së saj njerëzore, shoqërore, politike, ekonomike dhe fetare, për të frymëzuar shoqërinë e kulturën, besnike ndaj traditave e, njëkohësisht, të gatshme për risim e ardhmëri, nënvizoi Papa.

E në këtë perspektivë,  kujtoi 1050-vjetorin e Pagëzimit të Polonisë, çast i rëndësishëm i unitetit kombëtar, që tregoi qartë se harmonia, me gjithë larminë e opinioneve, duhet të jetë rruga e sigurt për të mirën e përbashkët të popullit polak.

Dy kujtesat

Kujtesa është, pa dyshim, themelore në jetën e çdo populli. Papa e nënvizoi këtë, duke kujtuar se ka dy lloje kujtesash: kujtesë të mirë e të keqe:
“Kujtesa e mirë është ajo e Magnificat, këngës së Marisë, që e lavdëron Zotin dhe veprën e tij të shëlbimit. Kujtesa negative, ajo që i ka sytë e mendjes e të zemrës ngulur ankthshëm mbi të keqen, posaçërisht mbi  të keqen  e kryer nga të tjerët”.

Papa shprehu kënaqësinë që në historinë e Polonisë kohëve të fundit ndjehet epërsia e kujtesës së mirë. Dha edhe një shembull:

“Duke kremtuar 50-vjetorin e faljes reciproke, ofruar e pranuar nga episkopati polak e gjerman pas Luftës II Botërore, nisma, fillimisht, përfshiu bashkësitë kishtare. Por më pas nxiti dhe një proces shoqëror, politik, kulturor e fetar të paprapsueshëm, që e ndryshoi historinë e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve”.

Besim në Atë,  që ka në dorë fatet e popujve

Papa kujtoi, në vijim, edhe deklaratën e përbashkët të Kishës katolike polake e asaj ortodokse të Moskës, akt me të cilin nisi afrimi dhe vëllazërimi jo vetëm ndërmjet dy Kishave, por edhe, e kryesisht, ndërmjet dy popujve. Mundemi, pra, ta ruajmë kujtesën e mirë e ta harrojmë të keqen:

“E kjo kërkon shpresë e besim në Atë, që u prin fateve të popujve, hap portat e mbyllura, i shndërron vështirësitë në mundësi dhe krijon skenare të reja, atje ku gjithçka dukej krejt e pamundur”.

Më pas kujtoi përsëri  historinë e Polonisë që, duke përballuar stuhi dhe errësirë, rifitoi dinjitetin e, pas arritjeve të dukshme, vijon të përballojë sfidat e reja, të cilat kërkojnë angazhim etik dhe respekt për dinjitetin e çdo njeriu.

Mbështetje emigrantëve, që ikin e që vijnë

Françesku vuri gishtin edhe mbi një plagë të kohëve të reja: atë të emigrimit. Kujtoi se shumë nga polakët që ikën e ikin, si pasojë e rrethanave të pafavorshme për jetën, tani duan të kthehen përsëri në atdhe. Fenomen ky, tipik në gjithë lindjen ish-komuniste. Prej këndej, i ftoi autoritetet polake t’ua lehtësojnë rikthimin, ashtu si duhet t’ua lehtësojnë edhe strehimin, atyre që arrijnë të rraskapitur, që ikin nga lufta e nga uria,  që i kanë humbur të drejtat e tyre themelore e kërkojnë ta praktikojnë në liri dhe siguri fenë e tyre. Theksoi edhe nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtar, për t’u dhënë fund konflikteve e luftërave, që i detyrojnë mijëra njerëz të largohen nga trojet e tyre:

 “Duhet bërë ç’është e mundur për t’i lehtësuar vuajtjet e tyre, pa u lodhur kurrë së vepruari me inteligjencë e vazhdimësi për drejtësinë e paqen, duke i dëshmuar me fakte vlerat njerëzore e të krishtera”.

Papa e ftoi, në vijim, Poloninë, ta shikojë me shpresë ardhmërinë, pavarësisht nga problemet, që duhen përballuar, për t’u dhuruar një jetë më të mirë bijve të saj, sidomos familjes, qelizë e parë e themelore e shoqërisë si dhe njerëzve më të varfër. Kërkoi të mbrohet e të ruhet jeta, nga lindja në vdekjen natyrore e të ndihmohet si nga shteti, ashtu edhe nga Kisha, çdo njeri në vështirësi, që asnjë bir i kësaj toke të mos ndjehet si barrë, por si dhuratë, e më të brishtit të mos braktisen kurrë.

Kombi polak mund të vijojë të mbështet në Kishën katolike

“Kombi polak mund të mbështetet, siç ka ndodhur në të gjithë udhën e tij historike, mbi bashkëpunimin me Kishën katolike, me qëllim që, në dritën e parimeve të krishtera, që e frymëzojnë e që e kanë formuar historinë dhe identitetin e Polonisë, të dijë, në kushtet e ndryshuara historike, ta vijojë udhën e vet, besnike ndaj traditave më të mira, plot me besim e shpresë, edhe në çastet më të vështira”.

“Zoja e Çestokovës e bekoftë dhe mbrojtët Poloninë!” - ishte urimi i Papës, në përfundim të përshëndetjes së parë.

Në orën 18.30, Papa ishte në katedralen e Krakovit, në takim me ipeshkvijtë polakë.

Dita e nesërme, e enjte, 28 korrik, do të ndahet në dy etapa: ajo e Shenjtërores së  Czestochowa-s, me Meshën për 1050 vjetorin e pagëzimit të Polonisë, e, pasdite vonë, rikthimi në Krakov dhe ceremonia e pritjes nga ana e të rinjve, në Parkun Jordan.








All the contents on this site are copyrighted ©.