2016-07-26 13:01:00

Papa Françesku dënon sulmin kundër kishës në Francë


“Papa Françesku është informuar dhe merr pjesë në dhimbjen dhe në tmerrin për këtë dhunë absurde, me dënimin më të ashpër për çdo formë urrejtjeje e me lutje për viktimat”: menjëherë pas sulmit kundër një kishe në Normandi të Francës, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi, bëri një deklaratë për mediat, për të shprehur dhimbjen e Papës Françesku.

 “Është lajm i ri i tmerrshëm, që i shtohet serisë së dhunës, e cila na ka shkandulluar këto ditë, duke shkaktuar dhimbje dhe shqetësim të madh. Po e ndjekim gjendjen dhe po presim lajme të mëtejshme për të kuptuar më mirë ç’po ndodh”, deklaron atë Lombardi. “Na bën veçanërisht përshtypje fakti që kjo dhunë e tmerrshme ndodhi në një kishë, vend i shenjtë, në të cilin kumtohet dashuria e Zotit, me vrasjen barbare të një meshtari e me përfshirjen e besimtarëve. Jemi pranë Kishës së Francës, kryedioqezës së Rouenit, bashkësisë së goditur e popullsisë franceze”.

Menjëherë pas deklaratës së atë Federico Lombardit, u bë i njohur telegrami i ngushëllimit të Atit të Shenjtë, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar kryeipeshkvit të Rouenit, imzot Dominique Lebrun. “Papa Françesku siguron afërsinë e tij shpirtërore dhe bashkohet me lutje e me vuajtjet e familjeve, si edhe me dhimbjen e famullisë dhe të dioqezës së Rouenit – shkruhet në mesazh. Ai i lutet Zotit, Atit të mëshirshëm, që ta pranojë atë Jacques Hamel në paqen e dritës së Tij dhe të ngushëllojë të dëmtuarit. Ati i Shenjtë është veçanërisht i shqetësuar nga ky akt dhune kundër një kishe, gjatë kremtimit të meshës, liturgji, në të cilën i përgjërohemi Zotit për paqe në të gjithë botën. Ai i kërkon Hyjit të dikojë tek të gjithë mendime pajtimi dhe vëllazërie në këtë sprovë të re dhe i jep secilit bekimin e tij apostolik”.








All the contents on this site are copyrighted ©.