Më 26 korrik kalendari Kishtar përkujton Shën Joakinin e Shën Anën, prindërit e
Zojës së Bekuar. Ana e Joakini janë prindërit e Virgjërës Mari. Joakini ishte bari
e, së bashku me gruan e vet, Anën, jetonte në Jerusalem, ku kryente edhe shërbimin
priftëror në tempull. Po plakeshin pa fëmijë, kur Joakinit, që ishte duke punuar në
arë, iu duk papritur një engjëll. I dha lajmin e gëzuar, gati të pabesueshëm, se së
shpejti do t’i lindte një fëmijë.
Të njëjtin vegim pati edhe Ana. Engjëlli e thirri me emër e i tha: “Ana, Ana, Zoti
ta dëgjoi lutjen e ti do të lindësh një fëmijë, për të cilin do të flasë bota mbarë”.
Vegimi u bë realitet e atyre u lindi një vajzë, të cilën e quajtën Mari, që do të
thotë “e dashur nga Zoti”. Joakini e çoi në tempull, së bashku me dhjetë qengja, dymbëdhjetë
viça e po aq keca pa asnjë të metë, sipas ligjit të Moisiut. Maria kaloi disa vjet
në tempull, ku u edukua sipas ligjit të Moisiut.
Shën Ana është Pajtore e grave shtatzëna, të cilat i luten të ndërmjetësojë para Zotit
për të nxjerr tri hire: së pari, për të lindur pa vështirësi; së dyti, për të nxjerrë
në dritë një fëmijë të shëndoshë e së treti, për të pasur qumësht të mjaftueshëm,
që ta ushqejnë foshnjën me gjirin e vet.
Ndonëse për Shën Anën kemi pak të dhëna në tekstet zyrtare e kanonike, kulti i saj
është jashtëzakonisht i përhapur si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. S’ka qytet
të madh që të mos ketë një Kishë kushtuar Shën Anës e emri i saj përsëritet në rrugët
e rrugicat e qyteteve e të fshatrave, në male e në pyje. E mbajnë mbretëresha e baresha,
vajza e plaka, gra të çdo shtrese shoqërore e të çdo profesioni: është një nga emrat
më të përhapur në mbarë botën, ashtu si emri i bijës së Anës, Maria. E kjo, sepse
Ana mbajti në kraharor atë, që do të ishte shpresa e botës, Nënën Virgjër të Shëlbuesit
të njerëzimit. Emri Ana vjen nga hebraishtja Hannah që do të thotë ‘Hir’.
Shën Ana e Shën Joakini nuk kujtohen fare në Ungjijtë kanonikë. Të dhënat e para për
ta i gjejmë tek Etërit e Kishës dhe tek Protoungjilli i Shën Jakut (apokrif i shekullit
II). Në lindje - festa nisi të kremtohet më 25 korrik që në shekullin VI; më pas u
shtri në perëndim, ku kremtohet gjithnjë më 26 korrik.
Dy shenjtorët bashkëshortë nderohen nga përshpirtëria popullore edhe si pajtorë të
prodhimeve të ndryshme të kopshtijëve: barishteve, frutave e sidomos hardhive, që
në këtë kohë kanë aq shumë nevojë për ujë. Kur bie shi në festën e Shën Anës, përshpirtëria
popullore e konsideron si dhuratë qiellore nga Pajtorët.
Ikonografia i paraqet prindërit e Zojës së Bekuar me Bibël në dorë, duke i mësuar
Psalmet Bijës së tyre, që ishte zgjedhur të ishte “e bekuar mbi të gjitha gratë!”.
Kujtojmë se ashtu siç ka një ditë kushtuar nënave e një tjetër, baballarëve, tani
ka edhe një ditë kushtuar gjyshërve. Është 2 tetori, festa e Engjëjve të Rojës, të
cilëve u ngjasin aq shumë gjyshërit, kur mbrojnë nipërit. Por edhe 26 korriku është
ditë vërtetë e përshtatshme për t’u shprehur gjyshërve mirënjohjen e solidaritetin,
duke nderuar kështu urtinë që buron nga vitet e nga flijimet e panumërta për bijtë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |