2016-07-26 14:54:00

Françesku nesër në Krakov, sot Mesha e hapjes së DBR-së


 Gjithçka është gati në Krakov, për ta pritur nesër Papën Françesku, me rastin me Ditës së 31-të Botërore të Rinisë, në Jubileun e Mëshirës. Ceremonia e hapjes së DBR-së, me Meshën e kryesuar nga kardinali Dziwisz, i kushtohet Shën Gjon Palit II.

Meshës së madhe, kremtuar nga sekretari historik i Karol Wojtyl-ës, kryeipeshkvi i Krakovit, kardinali Stanislaw Dziwisz, i paraprin një shtegtim prekës i “Flakës së Mëshirës”, nisur nga Lagiewniki, vend që të kujton menjëherë Shën Faustinën Kowalska, për të arritur në parkun e Blonias, në qendër të Krakovit, ku kremtohet kjo Meshë, që jep sinjalin e hapjes së DBR-së.

Në udhën që përshkon, Pishtari i Mëshirës prek vende domethënëse për jetën e Gjon Palit II, duke nisur nga Kisha e Shën Florianit, ku ishte prift i ri, për të vijuar në Katedrale mbi Kodrën e Wawel,  e cila që nga viti 1963, deri në vitin 1978 qe kisha e tij, kur ishte bari i kryedioqezës Krakovit. Në Meshë marrin pjesë 500 mijë të rinj e, sipas traditës, janë të pranishme edhe simbolet e DBR-së: Kryqi dhe Ikona e Zojës Salus Populi Romani, ndërsa një grup të rinjsh  kanë veshur bluza, ku bien në sy logot  e ditëve të kaluara Botërore të Rinisë.

Mozaik mëshire e harmonie, ky që shikon sot mbarë bota në Krakov. Ai mozaik, për të cilin Françesku foli pak ditë më parë, në videomesazhin  drejtuar Polonisë. Mozaik të cilit nesër, me arritjen e Papës, do t’i shtohet guri kryesor i këtij Viti Shenjt, që pikërisht në Krakov, “Kryeqytet i Mëshirës”, po jeton tashmë çastet e para të Jubileut të të Rinjve.  








All the contents on this site are copyrighted ©.