2016-07-25 14:13:00

Papa: ekonomia të punojë për realizimin e gjithanshëm të njeriut


“Ekonomia nuk duhet të bazohet mbi konsumin e burimeve natyrore e të njerëzve. Duhet ndryshuar stili i jetës, duke shpërdoruar sa më pak në të gjitha veprimtaritë e përditshme. Duhet të jemi të gatshëm për t’i dëgjuar shenjat e shkatërrimit e të vdekjes, që shoqërojnë udhën e njerëzimit, duke sensibilizuar institucionet, që sistemi ekonomik të mos orientohet  plotësisht vetëm nga konsumi i burimeve natyrore  dhe i qenieve njerëzore, por të mendojë për realizimin e gjithanshëm të çdo njeriu si dhe për zhvillimin e vërtetë të mbarë njerëzimit”. Për këtë bën thirrje Papa në një mesazh drejtuar, përmes Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, kuvëndimit me temë: “Ekologjia integrale, ‘Laudato si’’- të rinjtë, protagonistë të ndryshimeve”, organizuar nga Ministria italiane e ajo polake e Ambientit, nga universiteti “Gjon Pali II” i Krakovit, nga Fondacioni Gjon Pali II, Fondacioni "Princi Albert II" i Monakos dhe Komiteti organizues i DBR-së së Krakovit. Nismë kjo, pohohet në tekstin e lexuar nga kryeipeshkvi i Krakovit, kardinali Stanislaw Dziwisz, që na ndihmon të reflektojmë për përgjegjësinë e përbashkët, si rojtarë të gjithësisë në planin e Zotit, të shkruar në natyrë. Papa Françesku i nxit gratë e burrat vullnetmirë ta shikojnë krijimin si dhuratë e mrekullueshme e Zotit, për t’u përdorur në dobi të të gjithëve. Duke nisur nga e përditshmja jonë, nëse duam të ndërrojmë stilin e jetës, e duke i pakësuar sa më shumë shpërdorimet, të vetëdijshëm se edhe gjestet më të vogla mund të garantojnë  qëndrueshmërinë dhe ardhmërinë e familjes njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.