2016-07-24 09:55:00

Papa Françesku në Instagram: jo më terrorizëm


“Lutem për të gjitha viktimat e terrorizmit në botë. Për hir të Zotit, jo më terrorizëm. Është udhë pa dalje!”. Kështu Papa Françesku në faqen e tij Instagram@Franciscus, kur dhuna vijon të godasë në vise të ndryshme të botës. Në fotografi, Papa me duar bashkë, në shenjë lutjeje.

Të dielën e kaluar, gjatë lutjes së Engjëllit të të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa bëri një thirrje të re, pas masakrës së Nicës: “Asnjë njeri të mos guxojë më të derdhë gjakun e vëllait”- tha, duke menduar për viktimat e pafajshme, ndërmjet të cilave, edhe shumë fëmijë. “Zoti, Atë i mirë - u lut Papa - i pranoftë të gjitha viktimat në paqen e Tij, i ndihmoftë të plagosurit e i ngushëlloftë familjarët; Ai e prishtë çdo plan terrori e vdekjeje”. Bëri edhe thirrje për ndërtimin e një bote të re, më vëllazërore, të bazuar në mikpritjen që, për fat të keq në botën e sotme rrezikohet të humbasë.   

E në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 3 korrikut, u shprehu afërsinë  familjarëve të viktimave e të plagosurve të atentatit në Dacca e në Bagdad. “Të lutemi së bashku me ta - tha Papa - e t’i kërkojmë Zotit t’ua kthejë zemrën njerëzve të dhunshëm, të verbuar nga urrejtja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.