2016-07-21 17:13:00

Vizita e Papës në Porciunkola: programi


Në një skaj të botës është një çudi e vogël, që i ngjet një peshtafi me gurë të çmuar: një Kapelëz, që njihet me emrin “Porziuncola” e që në shqip do të thotë:“Thërmijëz”. Ishte ky, toponimi mesjetar i një trualli pranë Asizit ku, rreth shekullit XI-XII lindi një kapelëz kushtuar Zojës së Engjëjve. U quajt që asokohe  “Shën Maria e Porciunkolës”, shkurtimisht “Porciunkola”, posaçërisht e dashur për Shën Françeskun që, pikërisht në këtë copëz toke themeloi Urdhërin Françeskan. Këtu deshi ta sillnin, kur e ndjeu se po i afrohej Motra Vdekje, këtu u shtri përdhe, këmbëzbathur. E këtu dha edhe frymën e fundit, në krahët e Mëshirës Hyjnore. 

Kur Urdhëri Françeskan, nga një filiz delikat, që ishte, u bë rrap madhështor shumëdegësh, sivëllezërit e Françeskut menduan të ndërtojnë një bazilikë mbi Thërmijëzën, por pa e cënuar. Bazilika u ndërtua mbi kapelëzën e vogël, që tani ka pamjen e tabernakullit, në mes të Bazilikës së Zojës së Engjëjve. Këtu rreh zemra e françeskanizmit e, natyrisht, edhe e festës së Ndjesës së Asizit.

E kjo, sepse Porciunkola ka privilegjin e Ndjesës së plotë. Prej këndej, prej tetë shekujsh, këtu, në ditët e para të gushtit, rrajnë me mijëra shtegtarë.

Do të kremtohet si çdo vit,  më 1 e 2 gusht, duke u bërë përsëri thirrje shtegtarëve ta kapërcejnë, fizikisht e shpirtërisht, këtë portë të jetës së pasosur, për t’u gjunjëzuar në heshtje e për të rigjetur paqe e pajtim, përmes ndjesës së madhe të Porciunkolës.  

Por sivjet “Porciunkola”, përveçse kremton 800-vjetorin e Ndjesës, do presë një shtegtar të jashtëzakonshëm.  

 

Të enjten, më 4 gusht 2016, Papa Françesku do të shtegtojë në Porciunkola, kapelë ku, tetëqind vjet më parë buroi - për mirësi të Zotit  e të gjenisë së Françeskut të Asizit, një lumë hiri, e ku shumëkush vijon të kërkojë ndihmë në këto shekuj. Dy ditë para vizitës së Papës, këtu do të hapen kremtimet e 800-vjetorit të Ndjesës së Asizit    

Vizita e Papës do të jetë shumë e shkurtër, e përqendruar kryesisht tek “Porciunkola” – “Thërmijëza”, të cilën Françesku, kohët e fundit, e quajti: “zemra, që rreh fort, e Urdhërit të Fretërve të Vegjël”.

Ndër çastet më të rëndësishme të shtegtimit, lutja personale e Papës në Porciunkola, meditimi, propozuar gjithë të pranishëmve e, së fundi, takimi me fretërit, në Infermierinë provinciale të Porciunkolës.

Papa, që do të zbresë rreth orës 15.40 nga helikopteri, në fushën e sportit “Migaghelli”, pranë Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, do të pritet nga autoritetet më të larta kishtare e civile të vendit, për të shkuar menjëherë në Bazilikë e për t’u ndaluar në Porciunkola.

Në orën 16.00  do të jetë në Bazilikë, ku do të pritet nga atë Michael Anthony Perry, eprori përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël dhe disa autoritete të tjera kishtare të Umbries.

Menjëherë pas, lutja e heshtur e Papës në Porciunkola dhe meditimi mbi fragmentin ungjillor të Mateut (18,21-35).

Në përfundim të katekizmit, Ati i Shenjtë do të përshëndesë  ipeshkvijtë dhe eprorët e Urdhërit françeskan, të pranishëm, për të shkuar, pastaj, në infermieri, ku do ta presë një grup fretërish, ndërmjet të cilëve, edhe ata, që punojnë në infermieri.

Pas këtij takimi, Papa do të dalë në tremen e Bazilikës,  për të përshëndetur besimtarët e mbledhur në shesh. Rreth orës 18.00, do të niset me auto në në fushën sportive,  për t’u rikthyer me helikopter, në Vatikan.

E rrethon një kornizë jo e zakonshme, sivjet, Ndjesën e Asizit: një herë, Triditshi i përgatitjes, pasuar nga kremtimi solemn për hapjen e festës. Arritja e shtegtarëve dhe kremtimet e 2 gushtit, pastaj. Kujtojmë se këto kremtime, duke filluar nga Shën Maria e Engjëjve, do të mbahen në të gjitha kishat françeskane të botës, sepse Mëshira u përket të gjithëve e mund ta fitojnë të gjithë duke u gjunjëzuar të penduar para Zotit e duke e marrë në zemër me dashurinë, që meriton. Posaçe sivjet, në Vitin kushtuar Mëshirës,  kur Porciunkola do të jetojë çastet e paharrueshme të takimit të Françeskut të Asizit – e Papës së parë me emrin Françesk.








All the contents on this site are copyrighted ©.