2016-07-21 12:41:00

30 vjet pas takimit të Asizit: Islami të edukojë më qartë për paqen


Tridhjetë vjet pas Lutjes historike të feve botërore për paqen, mbledhur nga Gjon Pali II në vitin 1986, në Asizi, gjithnjë në qytetin umbrian, më 18 deri më 20 shtator, do të mbahet takimi ndërkombëtar për paqen, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Nisma, e paraqitur dje në Peruxhia, vijon në gjurmët e Papës Wojtyla, për t’i dhënë përgjigje dhunës e ndeshjeve, që trondisin botën e sotme. Për këtë takim, titulluar “Etje për paqe”, intervistuam kreun e Bashkësisë së Shën Egjidit, Marco Impagliazzo:

Në vitin 1986 çështja kryesore ishte Lufta e Ftohtë: bota qe e ndarë në blloqe e përshkohej nga një mori luftërash e vatrash lufte, që nuk premtonin asgjë të mirë. Prandaj Gjon Pali II deshi ta ripohojë rolin themelor të feve për paqen. Profetik, fjalimi i Papës polak, sepse - siç e pamë - në vitet e mëpasme jo vetëm që ra Muri i Berlinit, por nga angazhimi i feve lindën kohë paqeje e shprese. Mendoj për vitin 1992, për paqen në Mozambik, pas vitesh lufte e më se një milion të vdekurish. E edhe për konflikte të tjera, të cilat përfunduan në ditet tona, qysh nga lajmet e mira që vijnë nga Kolumbia, e deri  tek pajtimi ndërmjet SHBA-ve e Kubës, falë Papës Françesku. Ide profetike, e edhe gjeniale, për një botë në të cilën - për fat të keq – fetë, në rrethana të tjera, u përdorën e po përdoren, si benzinë që hidhet mbi zjarrin e ndezur të luftës. Sot janë krijuar rrethana të tjera, edhe më dramatike: kemi përballë terrorizmin, dhunën e lindur nga trafiku i drogës, nga përhapja e armëve. Prej këndej, fetë, që do të mblidhen përsëri në Asizi, do të thirren të vijojnë lutjen për paqen, të luten më fort, më me ngulm.

Cili është kontributi për paqen, që pritet nga ky takim?

Para së gjithash, nuk duhet izoluar asnjë fe. E dimë se Islami nuk është problem: në librat e tij është fe paqeje, por kur në disa vende, që mbahen si islamike, del nga librat, lindin grupe terroriste, që po mbjellin tmerr, e jo vetëm në Evropë e në të gjithë botën perëndimore, por edhe në Lindjen e Mesme. Mjafton të mendojmë për Sirinë e Irakun. Prej këndej, duhet t’u kërkojmë vëllezërve myslimanë një angazhim më të fortë, për t’i treguar njerëzimit se nuk kanë asgjë të përbashkët me dhunën. E pastaj, natyrisht, për të punuar për paqen së bashku, me njerëzit tanë e popujt tanë. Fetë duhet të predikojnë paqen e edhe t’i edukojnë njerëzit me frymën e  paqes, duke folur me një gjuhë krejtësisht të qartë, që ta kuptojnë të gjithë.

 A do të jenë edhe përfaqësuesit e botës islamike si dhe të feve të tjera në këtë takim, si asokohe, kur i pamë të gjithë rreth Gjon Palit II?

Nga bota islamike kemi personalitete të rëndësishme: do të jetë, sigurisht, Rektori i Universitetit al-Azhar, Myftiu i Madh i Libanit dhe i mbarë viseve të Lindjes së Mesme. Do të jenë edhe liderët e  Azisë: pastaj, edhe dy krerët e Sivëllazërive më të mëdha myslimane indoneziane, me më se 60-70 milionë besimtarë. Pastaj, Patrikët e Kishave ortodokse e, së pari, Patriku ekumenik Bartolomeu. Do të jetë edhe kryeipeshkvi i Canterbury-t. Pastaj edhe liderët e mëdhenj - si pastorë, ashtu edhe  ipeshkvij - të Kishave luterane të reformuara. Do të marrin pjesë edhe personalitete të botës së budizmit japonez si dhe të botës hebraike, nga Izraeli e nga Evropa. E kur flasim për gjithë këtë pjesëmarrje, nuk mund të mos e ndjejmë se mbarë bota ka etje për paqe. Është etja e të varfërve, e njerëzve që vuajnë nga lufta, e viktimave të dhunës, etje e grave, e fëmijëve, britma  e të cilëve do të dëgjohet në Asizi. Prandaj prania e gjithë këtyre personaliteteve fetare, përkrah popujve, që vuajnë, më duket sinjal i fortë për ardhmërinë e botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.