2016-07-20 12:50:00

Kardinali Parolin: skenari botëror, tepër shqetësues


“Skenari botëror është shumë shqetësues, sepse shikojmë si thellohen mllefet, përçarjet, grindjet e është gjithnjë më e vështirë të arrihet në  zgjidhjen e konflikteve e në trajtimin e tyre sipas kritereve të dinjitetit, të drejtësisë e të solidaritetit”. Kështu u shpreh sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me faktet e sotme të kronikës ndërkombëtare, nga Turqia - në Nicë. Prelati i lartë foli për ngjarjet e fundit dje pasdite, me rastin e paraqitjes së Relacionit vjetor shëndetësor e shkencor të Spitalit “Bambin Gesù”(Spitali i Krishtit Fëmijë). Takimi u mbajt pranë Shtëpizës Piu IV, seli e Akademisë Papnore të Shkencave, në Vatikan. Por, ta dëgjojmë mendimin e kardinalit Pietro Parolin, lidhur me atentatin e Nicës:

Përgjigje: - Nuk gjinden fjalë. Mendoj se është një shprehje mllefi të pastër: të turresh kështu, verbërisht, në një çast feste, e të masakrosh pleq e fëmijë… Vërtet nuk merret vesh çfarë po ndodh. Duhet të punojmë të gjithë së bashku, që të mund t’i kuptojmë shkaqet e këtyre fenomeneve  kaq dramatike e të dhimbshme, e pastaj edhe të përpiqemi t’i kapërcejmë. Natyrisht duhet ndërhyrë në shumë nivele; në nivel të shërbimeve të informacionit, për shembull, sepse janë të nevojshme për sigurinë, por mendoj se ndërhyrja duhet të jetë sidomos e tipit kulturor, për t’i shkulur rrënjët e këtij fenomeni e për t’i ndihmuar popullsitë dhe njerëzit ta pranojnë njëri-tjetrin, duke bërë që larmitë, të cilat nuk mungojnë - e këtë e përsërit shpesh edhe Papa -  të shndërrohen në rast për pasurimin reciprok e jo për ndeshje e morte.








All the contents on this site are copyrighted ©.