2016-07-20 12:58:00

Atë Konrad Gjolaj në përvjetorin e vdekjes


Atë Konrad Gjolaj në përvjetorin e vdekjes. Atë Konrad Gjolaj është një nga emrat që rrallë e kurrë përmenden ndër mjetet zyrtare të komunikimit; një nga njerëzit për të cilët nuk kujtohet kush, kur debatohet pati apo s'pati disidencë në Shqipërinë e diktaturës, një nga ata që nuk figurojnë në vitrinat e librarive. Por kjo nuk mund ta shlyejë emrin e tij e të atyre, që flijuan jetën për t'i qëndruar besnikë Krishtit! Edhe në mos u kujtofshin mbi tokë, besimtarët janë të sigurt se emrat e tyre janë të shënuar me germa ari në Librin e madh, të amshuar të qiellit, ku shkruan e shlyen vetë dora e Zotit.

Një prej këtyre emrave po kujtojmë sot: Atë Konrad Gjolajn, që ndërroi jetë më 20 korrik të vitit 2000 në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkodër.
Jeta e tij, filluar më 2 janar 1918 në Velipojë, është simbol sa i dhimbshëm, aq edhe i lavdishëm i rrugës që përshkoi shumica e meshtarëve katolikë shqiptarë, dëshmi e gjallë se në Shqipërinë e diktaturës pati disidencë të fuqishme, në emër të idealeve të pavdekshme të Fesë e të Atdheut.
Nxënës i një gjermani të kulturuar, që derdhi gjakun në e për tokën shqiptare, bir në shpirt i së cilës ishte, Don Alfons Trackit, Atë Konradi eci besnikërisht në gjurmët e mësuesit martir. Ishte vetëm 25 vjeç kur u ngjit në elterin e bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, që njihet si katedralja e Romës, për të kremtuar Meshën e parë, për ta vijuar pastaj misionin në Atdhe, ku më 1947 u arrestua vetëm pse ishte frat.
I përgatitur me kulturën e përgjithshme më të gjerë të kohës në Liceun "Illyricum" në Shkodër dhe më pas në Universitetin Antonianum të Romës, ku u doktorua në drejtësi kanonike, ai diti të mbronte idealet fetare e atdhetare me dinjitet të pashoq e aftësi të rralla juristi, para gjyqit farsë të komunistëve, drejtuar nga gjykatës të përgatitur ndër kurse kundër analfabetizmit, në duar të të cilëve qenë partia e pushteti, drejtësia e vetë jeta. Çuditemi pastaj pse Shqipëria është katandisur në vendin më të varfër të Evropës!
Në vend që të lirohej me admirim për mbrojtjen e jashtëzakonshme që nxirrte në dritë pafajësinë e tij, duke fajësuar gjykatësit, për të nisi udha e kryqit, kalvari i një vendi, ku drejtësia nuk ekzistonte. Rrugën e jetës së tij, sa të mundimshme, aq të lavdishme, që e përfundoi si sot, më 20 korrik të vitit 2000, na e la trashëgim në shkrimet e botuara ndër faqet e revistës "Hylli i Dritës" dhe në atë që e quajti "vepra eme e mbrame" në librit e tij me kujtime "Çinarët".








All the contents on this site are copyrighted ©.