2016-07-19 12:38:00

Papa Françesku, domenikanëve: besueshmëria e Kishës varet nga mëshira e saj


Filloi më 16 korrik, në Bolonja të Italisë, Kapitulli i përgjithshëm i Urdhërit të Predikatarëve (etërit domenikanë), i cili do të përfundojë më 5 gusht, me një audiencë tek Papa Françesku. Kapitulli mbahet në 800-vjetorin e themelimit të urdhërit të fretërve predikatarë e pikërisht për këtë, Papa Françesku u dërgon domenikanëve një telegram, me firmën e kardinalit Pietro Parolin.

Ati i Shenjtë Françesku kujton se jemi në Jubileun e Mëshirës dhe se arkitrau, që mban jetën e Kishës, është pikërisht mëshira. “Gjithçka në veprimtarinë baritore të Kishës – shkruhet në telegramin drejtuar Eprorit të Përgjithshëm të Urdhërit të Predikatarëve, fra Bruno Cadore’ – duhet të mbështillet me dhembshuri e asgjë s’mund të jetë pa mëshirë në kumtin dhe në dëshminë e saj para botës. Besueshmëria e Kishës kalon përmes rrugës së dashurisë së mëshirshme e të dhembshur, që dhuron jetë të re dhe ngjall guxim për ta parë të ardhmen me shpresë”.

Ati i Shenjtë Bergoglio uron që të gjithë ndjekësit e Shën Domenikut, apostull i palodhur i hirit dhe i faljes, i dhembshur me të varfërit dhe mbrojtës i patundur i së vërtetës, ta dëshmojnë mëshirën, duke besuar në të e duke e mishëruar në jetë. Gjithashtu, Papa u kërkon domenikanëve të jenë shenjë e afërsisë dhe e ëmbëlsisë së Zotit, që shoqëria e sotme të rizbulojë urgjencën e solidaritetit, të dashurisë dhe të faljes. Si zakonisht, Françesku u kërkon domenikanëve të luten për të dhe të kërkojnë ndërhyrjen amnore të Zojës Rruzare e të gjithë shenjtorëve të familjes rregulltare. Së fundi, u jep të gjithëve bekimin e tij apostolik.








All the contents on this site are copyrighted ©.