2016-07-18 14:36:00

Imzot Polak: DBR-ja në Krakov, ndërmjet dialogut e bashkimit


Në Krakov, do të kemi një DBR, në gjendje të shembë disa mure e të ndërtojë ura sot në Evropë. Është i bindur për këtë kryeipeshkvi i Gniezno-s, imzot Wojciech Polak, primat i Polonisë. Mëse një javë nga udhëtimi i Papës Françesku për të marrë pjesë në këtë festë të madhe rinore, numri i personave të regjistruar e ka kaluar 600 mijëshin. “Historia e popullit dhe e Kishës sonë – deklaron kryeipeshkvi i Gniezno-s për gazetën kishtare italiane “Avvenire” – është histori shprese e sprovimi, në mesin e shumë vështirësive. Do të na pëlqente pra, t’i tregojmë botës se feja, mëshira, shenjtëria, nuk janë koncepte që mësohen, por rrugë, mbi të cilat duhet ecur përditë”.

Imzot Polak, i cili është shuguruar ipeshkëv në vitin 2003, kur ishte vetëm 38 vjeç, duke u bërë një nga ipeshkvijtë më të rinj në botë, nënvizon se Kisha në Poloni nuk do të ishte kaq e gjallë, nëse nuk do të kishte pasur dy dhurata të mrekullueshme nga Zoti: motër Faustina Kovalskën dhe shën Gjon Palin II, me ndjeshmërinë e tyre të veçantë për Mëshirën Hyjnore. Të rinjtë dhe familjet, vijon ai, janë dy realitete themelore të kësaj Kishe. Të rinjtë dinë të ndërtojnë ura, pa paragjykime. Ata e gjejnë më shpejt mundësinë për t’i shembur muret. Nesë njerëzit, gjatë DBR-së së Krakovit, do ta shohin bashkimin e tyre, atëherë do ta kuptojnë si kthehen në pasuri ndryshimet ndërmjet kulturave e mendësive. Dëshmia e të rinjve do të japë provën jo të tolerancës, por të dhuratës, që përbën indin ndërtues të bashkimit.

Është bërë shumë për pjesëmarrjen e të rinjve nga Evropa Lindore në DBR. Kisha polake mori përsipër t’i ndihmojë konkretisht ata, që s’kishin mundësi ekonomike për të paguar rrugën deri në Krakov. Por, “gjëja më e rëndësishme – sipas imzot Polak – ishte impenjimi i vetë të rinjve. Konferenca Ipeshkvnore, dioqezat dhe famullitë propozuan shumë nisma e vetë të rinjtë harxhuan energji e kohë për të mbledhur fonde e për t’i mbështetur konkretisht bashkëmoshatarët e tyre”, me një ndjenjë përgjegjësie për t’u admiruar.

Kujtojmë se Kisha polake ka filluar prej kohësh një dialog të frytshëm me Kishat Lindore, vështirësuar nga gjendja e nga konflikti në Ukrainë. Megjithatë, në DBR-në e Krakovit do të ketë të rinj nga Ukraina, por edhe nga Lindja e Mesme, tjetër zonë e nxehtë në botë. Gjithashtu, do të flasin e do të jenë të pranishëm edhe disa nga refugjatët sirianë, që strehohen në Poloni.








All the contents on this site are copyrighted ©.