2016-07-16 00:00:00

Shenjtorët e javës më 17 - 24 korrik


E diel 17 korrik, Kisha katolike kremton të Dielën e 16-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 16 korrik kalendari përkujton edhe shën Marçelinën, virgjër, motër e shën Ambrozit, ipeshkëv; shën Aleksin e Shën Leonin IV, papë.

Liturgjia e së dielës na sjell mësimin e Jezusit mbi lutjen. Edhe ne duhet t’i kërkojmë Jezusit, siç bënë apostujt, të na mësoj të lutemi. Urata është forca jonë pranë Hyjit. E dhurata më e madhe që na vjen nga lutja është Shpirti Shenjt, që vetë Ati Qiellor na derdh në zemrën tonë. Urata e “Atë Ynë-s” është jashtëzakonisht e bukur. Çdo ditë, posaçërisht, kemi nevojë të falemi, sepse çdo ditë gabojmë e mëkatojmë. Me Eukaristinë ne marrim mëshirën e Hyjit Atë.

Të hënën me 18 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Federikun, shën Materno-n, shën Arnolfin. Liturgjia na kujton se forca e së keqes, edhe kur shfaqet në formën e saj më të tmerrshme e më tronditëse, nuk mund t’i bëjë kurrë ballë pranisë së Zotit, i cili ia vë veshin britmës së njeriut të shtypur padrejtësisht, që e ngre zërin aq, sa të dëgjohet deri te froni i Hyjit

Të martën me 19 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Simakun, papë e shën Makrinën. Liturgjia na kujton përgjigjen që Krishti i jep Hyjit: “Kështu të pëlqeu, ty, o Atë”, me të cilën pranon e zbaton pa kushte vullnesën e Hyjit Atë. Përgjigja e Krishtit duhet të jetë përgjigja e çdo të krishteri.

Të mërkurën më 20 korrik, kalendari liturgjik përkujton shën Apolinarin, ipeshkëv i Ravenës e martir, shën Elinë, profet e shën Aurelin e Kartagjenës. Zoti ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.

Të enjten më 21 korrik, kalendari  përkujton shën Lorencin nga Brindizi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, shën Praseden romake e shën Ezekielin profet. Liturgjia e ditës na kujton se shërimet që kryen Jezusi të shtunën, nuk duhen shikuar si shkelje e ligjit të Hyjit, por si shenjë e mëshirës së tij, që shprehet edhe në parafoljet e Izaisë profet. 

Të premten më 22 korrik, kalendari kremton festën e shën Marisë Magdalenë, nxënëse e Zotit Jezus. Kjo festë kremtohet edhe nga etërit kapuçinë në Kishën e Taraboshit, në breg të lumit Bunë. Zoti hyn në jetën e njeriut në majë të gishtërinjve. Atëherë në zemra ndizet një shkëndijë dashurie e feje, e cila na shndërron e na ndihmon të gjejmë rrugën e drejtë, rrugën e fesë, që çon te Ati”.

Të shtunën më 23 korrik, kalendari përkujton shën shën Brigjidën, rregulltare, Pajtore e Evropës. Liturgjia e ditës përmend se Jezusi u kujton gjithë të krishterëve se duhet t’i shërbejnë mbarë tokës, duke u bërë për të kripë e dritë.

Të dielën e ardhshme më 24 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 17-te gjate vitit kishtar, gjithnjë me 24 korrik kalendari  përkujton edhe shën Sharbel Makluf, meshtar e shën Kristinën, virgjër e martire. Këta shenjtorë me jetën e tyre na nxisin të meditojmë se detyra kryesore e njeriut është të bëjë vullnetin e Zotit. Detyrat e kërkesat e tjera të panumërta të jetës njerëzore, që nga ato të familjes, tek detyrat e punës, janë të gjitha të dorës së dytë e të gjitha të varura pikërisht nga vullneti i Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.