2016-07-15 14:07:00

Viti Shenjt i Mëshirës”. Ati i mëshirshëm


Rikthehemi, në emisionin e 47-të të rubrikës Jubileu, Viti Shenjt i Mëshirës, tek shëmbëlltyra e djalit plangprishës a e atit të mëshirshëm, duke ndjekur këtë herë, rrëfimin sipas Ungjillit të Lukës (Lk 15, 11-32).

Me gjithë mësimin e çmuar, që marrim nga dy shembëlltyrat e para mbi mëshirën, duhet të kujtojmë se njeriu ndryshon nga delja e aq më shumë, nga drahma! Tejet i vetëdijshëm për këtë ndryshim, Jezusi thuri një rrëfim të tretë, vepër e vërtetë arti. Jemi përballë një shëmbëlltyre, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, por me një kusht. Duhet t’ia ndryshojmë titullin. Të mos e titullojmë më “Djali plangprishës”, as “Ati i mirë”, por “Ati i mëshirshëm”, ose “I dhimbshëm”. Por, ta rilexojmë shëmbëlltyrën, për ta  shijuar më mirë pasurinë dhe thellësinë e saj:

Shëmbëlltyra e Atit të mëshirshëm

 11“Një njeri kishte dy djem. 12 Djali i vogël i tha të atit: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. 13 Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh.

14 Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovojë skamjen. 15 Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. 16 E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte.

17 Atëherë i erdhën mendtë e thoshte:’ Sa mëditësve të tim eti u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! 18 Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! 19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’

20 U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati.

Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir... !’

22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vëriani unazën në dorë e sandalet në këmbë! 23 Sillni viçin e majmë e prejeni të hamë e të gëzojmë, 24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’

E filluan të dëfrehen.

25 Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, 26 thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. 27 Ai iu përgjigj: ‘U kthye vëllai yt e yt atë preu viçin e majmë pse iu kthye djali shëndoshë e mirë.’ 28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. 29 Atëherë ai i tha të atit: ‘Ja, unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. 30 Por, kur të erdhi ky ‑ djali yt ‑ që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majmë!’ 31 ’Biro ‑ i tha i ati ‑ ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. 32 Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky ‑ vëllai yt ‑ pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet”.

Nuk flet për kohë të perënduara, shëmbëlltyra. Është thellësisht aktuale për kohët, kur fëmijët ikin shumë shpejt nga etërit, që vijojnë t’i presin, me sytë ngulur tek shtegu i kthimit. Do të kthehen bijtë? Ky argumenti i emisionit të 48-të të rubrikës sonë kushtuar Vitit Shenjt të Mëshirës. 








All the contents on this site are copyrighted ©.