2016-07-15 13:59:00

Nga “Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”. Sot, emri


Fragmenti i katërt, që shkëpusim nga vepra “Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”1, me autor profesor Kahreman Ulqinin, flet për mënyrën si konceptohej emri ndër malësitë e Shqipërisë Veriore, sipas Edith Durham2. Është shtojca  e 7-të e librit.

         “Sidoqoftë në malësitë e Shqipërisë Veriore në krahinat e Dukagjinit, në mënyrë të vendosur, nuk ishte e këshillueshme që të njihej emri i vërtetë i një burri. Në mënyrë të veçantë në Shalë, në Shosh dhe në Nikaj, ishte zakon që burrat të përdornin një emër tjetër. Kjo gjë u shkaktonte mërzi të vazhdueshme fretërve françeskanë, të cilët, megjithëse e pagëzonin grigjën e tyre me emra të krishterë shqiptarë të mirë, si Kolë (Nicolas), Gjin (John), Dedë (Dominic) ose Pjetër (Peter), duke u rritur, djemtë vazhdonin me këmbëngulje marrjen e emrave të tjerë dhe pëlqenin, sidomos, emra myslimanë. Ata i mbanin krezhmet me rreptësi; në ditë festash, vinin në masë në kishë dhe, sipas mendësisë së tyre,  përpiqeshin, sa kishin mundësi, që të plotësonin, së paku disa nga detyrat e tyre fetare. Megjithatë, ata e quanin veten Hysen, Ismail ose Mehmet dhe asnjë lutje ose kërcënim nga ana e meshtarit nuk i tundte nga qëndrimi i tyre. Një herë një françeskan kërkoi prej meje që të shprehja indinjatën time në prani të një grupi njerëzish për këtë praktikë të tyre. Për këtë arsye, unë u thashë se në Angli askush s’do të besonte se ata ishin të krishterë, po të mbanin emra të tillë. Kjo gjë nuk u pëlqeu dhe bënë kryq disa herë, si provë të besimit të tyre. Megjithatë, në këtë drejtim ata i përmbaheshin traditës së vet me kokëfortësi. E bënin këtë,“sepse kështu dëshironin”, “sepse emrat ishin të bukur” dhe për arsye më bindëse nga të gjitha, “se gjithmonë kemi bërë kështu”.

1 Kahreman Ulqini, Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”, Shkodër 2016,  Fq 137

2 M. E. Durham, Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve, përkthyer nga Ferit Hafizi, Arbëria, 2009, fq 365-366








All the contents on this site are copyrighted ©.