Më 15 korrik kalendari Kishtar përkujton Shën Bonaventurën, teolog e mistik i madh françeskan. Bonaventura lindi më 1217 në Banjoregjo në provincën e Viterbos, u bë frat, gjeneral i Urdhrit e pastaj kardinal e ipeshkëv i Albanos. Vdiq më 1274 gjatë Koncilit II të Lionit në Francë. Njihet si një nga teologët më të mëdhenj të Kishës katolike. Por mbi ç’ baza ngrihet teologjia e tij?
Bonaventura është teolog me shpirt thellësisht mistik. Për të gjithçka është në shërbim të thellimit të përvojës të jetës së fesë. Është shpirt françeskan, që e shikon Zotin si vlerën më të lartë për njeriun, sepse njeriu vjen nga Zoti e duhet të kthehet tek Zoti, përmes ndërmjetësimit të Fjalës së mishëruar e të kryqëzuar. E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht përvojën mistike si bashkim kundrues plot dashuri me Zotin, e mira më e Lartë, që e bën të jetojë qysh në tokë përvojën e bashkimit intim me Hyjin, e cila provohet vetëm në Parajsë.
Shën Bonaventura ka thënë: “Nuk mjafton studimi - pa mrekullinë, s’mjafton shkenca
- pa dashurinë e krishterë, e s’mjafton mençuria - pa përvujtërinë”.
U shpreh kështu me vetëdijen e plotë se i gjithë misteri i përvojës së krishterë është
dhuratë që vjen nga Zoti, është dhuratë e Shpirtit Shenjt e se nisma është e Zotit.
Gjithçka jemi vjen nga Zoti, i cili pret që ne ta lemë vetën në duart e tij, në vullnetin
e tij e të marrim pjesë në nismën hyjnore.
"Të krishterët të mësojnë nga Shën Bonaventura"
Shën Bonaventura, qe dishepull i denjë të Shën Françeskut, reliket e tij ruhen në qytetin Banjorexho, ku ekziston edhe një Qendër Studimesh Bonaventuriane, ndërsa personalitetin e këtij shenjti të madh mund ta përshkruajmë me tri cilësi kryesore. Shën Bonaventura ishte, në radhë të parë, një kërkues i palodhur i Zotit, që kur kryente studimet në Paris, e vazhdoi të jetë deri në vdekje. Në shkrimet e tij tregon rrugën që duhet përshkuar: “Meqë Zoti është lart – shkruan Bonaventuar – është e nevojshme që mendja të lartohet deri te Ai me të gjitha forcat”…
Shën Bonaventura qe edhe këngëtar serafik i krijimit, që pas gjurmëve të Shën Françeskut, mësoi si “të lëvdojë Zotin në të gjitha krijesat e përmes tyre”… Sa do të ishte e nevojshme, që edhe sot të rizbulohej bukuria e vlera e universit të krijuar, në dritën e mirësisë e të bukurive hyjnore!...
Shën Bonaventura, së treti, ishte lajmëtar i shpresës… Kush shpreson – pohon ai - “duhet të ngrejë kryet, duke i drejtuar lart mendimet, drejt lartësive të qenies sonë, pra, drejt Zotit. Prandaj duket të mësojnë nga ky Doktor i madh i Kishës për të thelluar dijen e rrënjosur në Krishtin.
Ta bëjmë tonën trashëgiminë, që na la ky Dijetar i shquar i Kishës, i cili na kujton domethënien e jetës, me fjalët: “Mbi tokë… mund ta kundrojmë pafundësinë hyjnore përmes arsyetimit e admirimit; ndërsa në atdheun qiellor, përmes vegimit, kur të bëhemi të ngjashëm me Zotin, e përmes ekstazës.. do të hyjmë në galdimin e Hyjit. Këtë na kujton teologu i madh françeskan në ditën e festës së tij.
Jetëshkrim i shkurtër i Shën Bonaventurës.
Lindur, ndoshta, në vitin 1217 e vdekur më 1274, ai jetoi në shekullin XII, epokë
në të cilën feja e krishterë, që kishte depërtuar thellësisht në kulturën e në shoqërinë
e Evropës, frymëzoi shumë vepra të pavdekshme në lëmin e letërsisë, të arteve pamore,
të filozofisë e të teologjisë. Ndërmjet figurave të mëdha të krishtrea, që dhanë ndihmesë
të shquar në krijimin e harmonisë ndërmjet fesë e kulturës, mund të kujtojmë pikërisht
Shën Bonaventurën, njeri i veprimit e i kundrimit, i përshpirtërisë e i qeverisjes
së urtë.
U pagëzua me emrin Gjovani Fidanca të cilin, kur veshi zhgunin françeskan, e ndërroi
me emrin Bonaventuara. Studioi në një shkollë të njohur të Parisit, ku mori titullin
‘Mjeshtër i Arteve’, të cilin mund ta krahasojmë me dëftesën e liceve më të shquara
të kohëve tona. Si shumë të rinj të kohës së tij, e edhe të kohës sonë, Gjoni nisi
t’i bëjë vetes një pyetje themelore: “Ç’duhet të bëj në jetë?”
I mahnitur nga dëshmia ungjillore e Fretërve të Vegjël, që kishin arritur në Paris,
trokiti në portën e Kuvendit françeskan të qytetit e kërkoi të pranohej në gjirin
e familjes së bijve të Shën Françeskut.
Rreth vitit 1243 veshi zhgunin e mori emrin Bonaventura. Vijoi me zell të ri studimet,
duke ndjekur fakultetin e Teologjisë në Universitetin e Parisit, e njëkohësisht, edhe
shumë kurse impenjative, të domosdoshme për karrierën akademike. Studioi thellësisht
Shkrimin Shenjt, Sentencat e Pietro Lombardit, Doracakun e teologjisë së kohës, autorët
më të rëndësishëm të teologjisë e, duke u takuar vazhdimisht me mësues e studentë
të teologjisë, që vinin në Paris, arriti të fitojë pjekuri e ndjeshmëri të thellë
shpirtërore personale, me vlerë të madhe. E kështu u bë një nga teologët më të rëndësishëm
të historisë së Kishës.
Na la trashëgim veprat:Breviloquium (Hyrje në teologjinë skolastike)
Collationes de decem praeceptis (Përmbledhje për dhjetë Urdhërimet e Tënzot)
Collationes de septem donis Spiritus Sanctis (Përmbledhje për shtatë dhantitë e Shpirtit
Shenjt)
Collationes in Hexaemeron (Përmbledhje në Gjashtë Ditët e Krijimit )
Commentaria in quattuor libros sententiarum Magistri Petri Lombardi (Koment i katër
librave të sentencave të mjeshtrit Pietro Lombardi)
De mysterio Trinitatis (Misteri i Trinisë Shenjte: çështje shumë të debatuara)
De perfectione vitae ad sorores (Përsosuria e jetës për motrat)
De reductione artium ad theologiam (Shikim i arteve përmes teologjisë)
De Regno Dei descripto in parabolis evangelicis (Mbretëria e Zotit përshkruar në shembëlltyra
ungjillore)
De scientia Christi et mysterio Trinitatis (Njohja e Krishtit dhe misteri i Trinisë)
De sex alis Seraphin (Gjashtë flatrat e Serafinëve)
De triplici via (Udha e trifishtë)
Itineriarium mentis in Deum (Shtegtim i mendjes në Zotin)
Legenda Sancti Francisci (Gojëdhëna e Shën Françskut)
Lignum vitae (Druri i jetës)
Officium de passione Domini (Detyrat që kanë të bëjnë me Mundimet e Zotit)
Quaestiones de perfectione evangelica (Çështje mbi persosurinë ungjillore)
Summa theologiae (Përmbledhje e teologjisë)
Vitis mystica (Jetë mistike)
Ta bëjmë tonën trashëgiminë, që na la ky Dijetar i shquar i Kishës, i cili na kujton
domethënien e jetës, me fjalët: “Mbi tokë… mund ta kundrojmë pafundësinë hyjnore përmes
arsyetimit e admirimit; ndërsa në atdheun qiellor, përmes vegimit, kur të bëhemi të
ngjashëm me Zotin, e përmes ekstazës.. do të hyjmë në galdimin e Hyjit”(Njohja e Krishtit).
All the contents on this site are copyrighted ©. |