2016-07-15 13:33:00

Evropa, sipas kardinalit Biffi


Nuk njihet shumë ndër shqiptarë, kardinali italian Giacomo Biffi (Milano, 13 qershor 1928-Bolonja, 11 korrik 2015), për një kohë të gjatë kryeipeshkëv i Bolonjës, i njohur në rrethet e Kishës katolike e jashtë saj, sa për veprat e tij të shumta, aq edhe për fjalën tejet të mprehtë, që ngjallte   diskutime të ndezura pa dalë mirë nga goja. Pati thënë për vete, e për të tjerët: “Çudi! Të tjerët flasin me orë e orë, e askush nuk u kundërvihet. Unë, mjafton të them një fjalë të vetme, për t’m’u sulur nga të katër anët me polemika!”. Nënvizonte, kështu peshën e pallogaritshme të një fjale të vetme, thënë me mend e me vend.

Pak ditë më parë Kisha e përkujtoi në kryevjetorin e vdekjes, duke nënvizuar posaçërisht  fjalët e urta, që tha për Evropën e bashkuar, të cilat  i përshtaten mrekullisht këtij çasti të vështirë, që po kalon e që ia përgatiti vetvetes. Këto fjalë njihen si të tilla sot edhe nga ata që, kur u thanë, nuk deshën t’i dëgjojnë, ose i kritikuan fuqimisht: “Evropa e bashkuar duhet të ndërtohej ‘Sub una solis radio’” - “Nën dritën e një rrezeje të vetme”. Nën dritën e planit të amshuar të Zotit, që është Krishti në ne, e ne në Krishtin”. Na la në dorë, kështu, një kyç, që i shpjegon të gjitha, edhe krizën e sotme evropiane!

Sepse kështu e shikonte edhe Evropën, kardinali i paharrueshëm Biffi: “Sub uno solis radio”:

“E varfëra Evropë, beson se mund ta ndërtojë unitetin e saj vetëm mbi paranë. Pa menduar se nuk ka gjë që i ndan shpirtrat njerëzor më shumë se paraja!”- pati thënë kryeipeshkvi i Bolonjës. Koha po i vërteton fjalët e tij të urta.  

“E varfra Evropë, beson se po ndërton bashkimin e saj mbi vlera pastërtisht formale, si për shembull, toleranca, e nuk shikon se po ndërton mbi hon” - pati shtuar, duke na lënë trashëgim çelësin që hap të gjitha portat e mbylluara. 

Ta hapim, pra, portën e shpëtimit me kyçin, që na la në dorë kardinali i ndjerë: “I Kryqëzuari i ngjallur, i mëshirshëm e mbretëror, zanafillë e kuptim i fundmë, e fund i çdo realiteti, është i vetmi Shpëtimtar për çdo njeri, dje, sot e përgjithmonë e jetës. Për njeriun, Evropën e për botën mbarë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.