2016-07-14 12:51:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: veshja e shën Martini i Tours


Në kuadrin e shpjegimit të veprës së mëshirës, që na kërkon të veshim të zhveshurit, vijojmë të shohim si konsiderohet veshja e cilët janë shembujt e krishterë për t’u ndjekur. Por sidomos, ç’do të thotë në të vërtetë, të veshësh të zhveshurit, gjë, që për të krishterin, e kapërcen vlerën e veprimit në vetvete.

Përkorja në veshje dhe në veprime ka vlerë të madhe antropologjike: ruan e mbron intimitetin e njeriut, si në aspektin e jashtëm, ashtu edhe në atë shpirtëror. Mënyra e veshjes, kujdesi për vetveten, higjiena e trupit, janë shfaqjet e para të kësaj modestie, nga e cila varet respekti i të tjerëve. Kongregata për Edukimin Katolik, në “Orientimet edukative për dashurinë njerëzore”, pohon: “Përkorja, element themelor i personalitetit, mund të konsiderohet – në planin edukativ – si ndërgjegjja që vigjëlon në mbrojtje të dinjitetit të njeriut e të dashurisë së vërtetë”. Prandaj, është e rëndësishme të edukohen fëmijët, që të vegjël, të kenë sjellje të shëndosha, të cilat e zhvillojnë këtë virtyt, duke i mësuar ta vlerësojnë sferën private dhe ta zbulojnë intimitetin e tyre, deri sa të fitojnë atë, që shën Josemarìa Escrivà e quan “thjeshtësi e bukur, që i ruan gjërat e thella të shpirtit për intimitetin ndërmjet njeriut dhe Atit të tij Qiellor”.

Përmes mishërimit, Krishti vishet me trupin njerëzor, për t’i kthyer atij dinjitetin e zanafillës, duke pranuar ta përjetojë edhe lakuriqësinë: “edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri” (Fil 2,6-7).

Me pagëzimin, Krishti i jep mundësinë njeriut të vishet me rroben e lavdisë, nga e cila e kishte privuar mëkati. Në praktikën e hyrjes në krishterim, në shekujt e parë, riti i pagëzimit karakterizohej pikërisht nga lënia e rrobave jashtë baptisterit, për t’u veshur me një rrobe të bardhë, pasi personi dilte nga uji. Rroba e bardhë simbolizon drejtësinë, përvujtninë, ëmbëlsinë, përkorjen, durimin, thjeshtësinë, me një fjalë, të gjitha virtytet që e mbulojnë lakuriqësinë tonë.

Të veshur me rroben e bijve të Zotit, edhe ne jemi të thirrur të veshim të zhveshurit, jo duke u dhënë të varfërve veshjet që s’i përdorim më, sepse u ka kaluar moda, por duke u dhënë ç’kemi më të bukur, duke i veshur me të njëjtën dashuri me të cilën Krishti na ka veshur ne. Është emblematik gjesti i shën Martinit të Tours, i cili e preu përgjysëm mantelin e vet për t’ia dhënë të varfërit, që po dridhej nga të ftohtët e dimrit. Dishepulli i tij, Sulpicio Severo, tregon: “Një ditë, në mesin e një dimri më të ashpër se zakonisht, aq sa shumë njerëz vdisnin nga të ftohtët, ndërsa s’kishte veshur veçse armët dhe një mantel të thjeshtë ushtarak, në portën e qytetit të Amiensit, pa një të varfër lakuriq: i mjeri u lutej kalimtarëve të kishin mëshirë për të, por të gjithë kalonin përtej.

Ai njeri i Zotit, duke parë se të tjerët nuk ndjenin dhembshuri, e kuptoi se i varfëri ishte caktuar për të. Por ç’të bënte? Nuk kishte tjetër, përveç mantelit të shkurtër: vërtet, e kishte dhënë gjithçka tjetër për vepra të mira. Atëherë, nxori shpatën nga brezi, e preu mantelin përgjysëm, ia dha një pjesë të varfërit dhe u mbështoll sërish me pjesën që mbeti. Ndërkaq, disa kalimtarë, duke e parë sa i shëmtuar ishte me atë veshje të grisur, filluan të qeshnin. Megjithatë, shumë të tjerë, më të mençur, e ndjenë veten keq, sepse s’kishin bërë asgjë të tillë, edhe pse kishin më shumë veshje se ai dhe mund t’ia kishin dhënë të varfërit, pa i hequr gjë të madhe vetvetes. Gjatë natës që pasoi, ndërsa flinte, Martini pa Krishtin të veshur me atë pjesë të mantelit, me të cilin kishte veshur të varfërin. Iu urdhërua ta shihte me vëmendje Zotin për ta njohur kështu, rroben që kishte dhuruar. Pastaj, dëgjoi Jezusin, që u tha me zë të lartë morisë së engjëjve përreth: ‘Martini, që është akoma katekumen, më mbuloi me këtë rrobë’”. Ky pra, është kuptimi i veshjes së të zhveshurve. U japim atyre dashurinë e Krishtit dhe veshim vetë Zotin.








All the contents on this site are copyrighted ©.