2016-07-13 16:07:00

Të dhëna të reja, nga “Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”. Sot, vendosja e paqes.


 Vijojmë të shfletojmë veprën “Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”, me autor Profesor Kahreman Ulqinin

Kujtuam se vepra e re pasurohet, me shumë shembuj, që e bindin lexuesin dhe e bëjnë ta shfletojë me një frymë. Zgjodhëm, sot, një fragment, i cili mund të titullohet “Burra të urtë, që vendosin mirëkuptim e paqe”.1

“Toleranca fetare - shkruan prof. Kahreman Ulqini - nuk qe dukuri e një përkatësie fetare të veçantë, e një krahine etnografike, e një shtrese të shoqërisë, por karakteristikë e etnisë arbërore, që fatalisht nuk njohu organizim e gjendje pavarësie, që nuk përjetoi shtetin e kishën e vet. Megjithëse nuk dëshmohen në historinë e popullit shqiptar ngjarje dramatike intolerance fetare, do të ishte mungesë heshtja ndaj ndonjë episodi lokal e të rrallë. Mjaftonte thyerja e një kryqi ose therja e një derri në xhami nga agjentë konsullatash apo ndonjë klerik me kombësi të huaj që të krijoheshin turbullira. Për një gjendje të nderë, që nuk çoi në përleshje të armatosur dëshmojnë burime të ndryshme klerikale zyrtare e kosullore. Në shkresën e arqipeshkvit të Shkodrës, Pasquale Guerini, të datës 20 prill 1888, si dhe në korrespondencën e gjatë ndërmjet arqipeshkvisë së Shkodrës, Kongregacionit të Propagandës Fide në Romë e Patriarkut katolik armen në Stamboll, bëhet fjalë për hedhjen e një derri të therur në xhaminë e Lezhës nga disa katolikë. Për gjykimin e therjes së një derri në një xhami në Shkodër me 1897 gjykata e Xhibalit ndoq traditën e maleve, kanunin e Lekë Dukagjinit. Zbatimi i vendimit u bë nga forca të armatosura të bajrakëve pa dallim përkatësie fetare. Konsulli serb në Prishtinë nxiti ngatërresa ndërmjet myslimanëve e katolikëve më 1908. Me anën e një koloni serb natën e bajramit u vendos koka e derrit në xhaminë e fshatit Smolicë (Gjakovë) e në Prizren bënë kryqe me gjakun e tij. Pastaj përhapen fjalë se këtë vepër e kishin kryer katolikët. Po dolën burra të urtë që vendosën mirëkuptim e paqë. Kanë dalë kurdoherë burra të tillë, që i prinë popullit pa dallim feje, në zgjidhjen e ngatërresave e në ruajtjen e solidaritetit tradicional.  

 

1 Kahreman Ulqini, “Toleranca fetare e shqiptarëve në zig-zaget e historisë”, Shkodër 2016,  Fq 18-19








All the contents on this site are copyrighted ©.