2016-07-13 15:17:00

Sudani i Jugut: emergjencë humanitare. Mijëra të shpërngulur në kisha


Në Jubë, kryeqytet i Sudanit të Jugut, tronditur rëndë nga ditë të tëra luftimesh, është kthyer qetësia, pasi Presidenti Salva Kiir dhe zëvendës presidenti Riek Machar, shpallën armëpushimin. Mbi qytetin tani mbretëron qetësia, ndonëse tejet e nderë, pohojnë, për Agjencinë Fides, burimet e krishtera vendase. Plaçkitja, që shoqëroi dhe pasoi luftimet,  pati përmasa tepër shkatrrimtare. Përgjegjës për këtë janë ushtarët qeveritarë dhe milicët, aleatë të tyre, që patën epërsi mbi forcat e ligështa të Machar,  armatosur vetëm me 1.500 armë të lehta, përballë ushtarëve qeveritarë, të shumënumërt e të pajisur me armë të rënda, përfshirë edhe tanket e helikopterët luftarakë.

Mijëra refugjatë sulmuan Kishat

Ishte një masakër e vërtetë - vijojnë burimet e Fides - edhe pse nuk dihet ende numri i saktë i viktimave. Problemi më urgjent për t’u zgjidhur është ai humanitar, duke nisur nga mungesa e ujit të pijshëm. Mijëra njerëz janë strehuar ndër kisha, ku vlon puna organizative, ndonëse tejet e vështirë, për t’i ndihmuar. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dërgoi skuadrat e veta në dy spitalet kryesore, ku vijojnë të vijnë të plagosurit e ditëve të kaluara.

Nisi largimi i të huajve

Me gjithë armëpushimin, ambasada të ndryshme po vijojnë  largimin e bashkatdhetarëve e edhe të një pjese të personelit. Ndërmjet vendeve, që kanë dhënë urdhër për tërheqjen e qytetarëve të tyre,  është Japonia, e cila prej dy vjetësh ka nisur në këtë vend fatkeq një sërë projektesh për zhvillimin dhe ndihmën humanitare. Ikja e të huajve flet vetë për mungesën e sigurisë, por edhe për mungesën e ushqimeve dhe të sendeve të tjera të domosdoshme për jetën, edhe për shkak të paçkitjes së dyqaneve. Situatë jo e re, në këtë vend, ku pasojat e luftimeve vijojnë gjatë e godasin thellë. Popullsia ka mbetur vetëm, e plaçkitur e pa farë ndihme, përfundojnë burimet e Fides.








All the contents on this site are copyrighted ©.