2016-07-13 13:57:00

Njoftimi zyrtar për ditën e lumnimit të 38 martirëve shqiptarë


NJOFTIM ZYRTAR

Nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë

Lënda: Dita e Lumnimit të “Martirëve” tanë

Pas një kohe relativisht të gjatë, me një punë voluminoze dhe me angazhimin e palodhshëm për të arritur deri në përmbylljen e procesit kanonik, në njohjen dhe në pranimin zyrtar të dëshmisë flijuese për Fe dhe Atdhe të Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 Shokëve të tjerë, erdhi momenti që tani, solemnisht, të shpallim datën historike të Ritit të Lumnimit e të Naltimit në altar të 38 bijve tanë. Procesi dioqezan i filluar me 10 nëntor 2002 e mbyllur me 8 dhjetor 2010…u analizua nga ekspertët e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve…dhe me dekretin që Papa Françesku firmosi më 26 prill 2016 u dekretua se mund të shpallen të Lumë.

Më në fund, me letrën që Ati i Shenjtë, Papa Francesku, na ka dërguar përmes Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, na konfirmon se data e Kremtimit do të jetë 5 NENTOR 2016. Vendi i kremtimit do të jetë: Sheshi i Katedrales së Shën Shtjefnit, Shkodër. Riti i Lumnimit do të udhehiqet nga Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Hirësia e Tij, kardinali Angelo Amato.

Me këtë shpallje, kemi plotësuar  të gjitha detajet e nevojshme. Tashmë, na takon neve t’i naltojmë e të përgatitemi për t’i nderuar me festën tonë të hareshme shpirtërore. Si Arqipeshëv që ka çuar përpara proçesin e Martirëve, me ekipin e gjyqit kishtar, të cilin e falënderoj, si Arqipeshkëv i Vendit ku do të kremtohet Mesha e Lumnimit dhe në emër të Konferencës Ipeshkvore, ju bëj thirrje dhe ju nxis për të kremtuar sa më denjësisht këtë moment historik për Kishën dhe Kombin.

Zoti Ju bekoftë!

Shkodër, 12/07/2016

+ Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë








All the contents on this site are copyrighted ©.