2016-07-13 16:05:00

5 nëntori 2016, data e lumnimit të 38 martirëve shqiptarë


5 nëntori 2016 është data e lumnimit të 38 martirëve shqiptarë të komunizmit. Mesha do të kremtohet në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër. Lajmi u dha dje pasdite nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, e njoftuar për këtë me një letër të Papës Françesku, mbërritur përmes Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Në njoftimin zyrtar vihet në dukje se mesha e lumnimit do të kryesohet nga Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato.

Kujtojmë se procesi dioqezan për lartimin e martirëve në nderimet e elterit filloi më 10 nëntor 2002 dhe përfundoi më 8 dhjetor 2010. Më pas, dokumentet u dërguan në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve në Vatikan, ku vijoi verifikimi i dëshmive të martirizimit. Papa Françesku nënshkroi dekretin e lumnimit më 26 prill të këtij viti. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra shkruan: “Tashmë, na takon neve t’i naltojmë e të përgatitemi për t’i nderuar me festën tonë të hareshme shpirtërore. Si Arqipeshëv që ka çuar përpara proçesin e Martirëve, me ekipin e gjyqit kishtar, të cilin e falënderoj, si Arqipeshkëv i Vendit ku do të kremtohet Mesha e Lumnimit dhe në emër të Konferencës Ipeshkvore, ju bëj thirrje dhe ju nxis për të kremtuar sa më denjësisht këtë moment historik për Kishën dhe Kombin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.