2016-07-12 14:30:00

Salla e Shtypit: nuk parashikohen direktiva të reja liturgjike


Asnjë direktivë e re liturgjike për Kohën e Ardhjes. Ky, sqarimi i dhënë nga Salla e Shtypit të Vatikanit, e cila komenton lajmet e qarkulluara në media pas një konference, mbajtur në Londër nga prefekti i Kongregatës për Kultin Hyjnor, kardinali Robert Sarah, gjatë së cilës ai është shprehur në favor të meshës prekonciliare, kur meshtari i kthente shpinën popullit për t’u orientuar nga lindja, ku ishte elteri.

         Atë Federico Lombardi sqaroi se kardinali është shqetësuar gjithnjë për dinjitetin e kremtimit të meshës, në mënyrë që të shprehet plotësisht qëndrimi plot respekt dhe adhurim për misterin eukaristik. Megjithatë, fjalët e tij janë keqinterpretuar.

Keqinterpretohen fjalët e kardinalit Sarah

         Sipas drejtorit aktual të Sallës së Shtypit të Vatikanit, që do të largohet nga detyra më 1 gusht, fjalët e kardinalit Sarah janë kuptuar si direktiva të reja, të ndryshme nga normat aktuale liturgjike e nga fjalët e vetë Papës për kremtimin e meshës me fytyrë të kthyer nga populli. Atë Lombardi kujton se Meshari Romak përcakton që “elteri të ndërtohet i shkëputur nga muri, për t’iu sjellë lehtësisht rrotull e për të kremtuar të kthyer nga populli, gjë që duhet realizuar kudo është e mundur. Pastaj, elteri duhet vendosur në mënyrë të tillë, që të përbëjë vërtet qendrën drejt së cilës, vetvetiu, të tërhiqet vëmendja e besimtarëve”.

Nuk parashikohen direktiva liturgjike me Kohën e Ardhjes

         Nga ana e tij, sqaron më tej atë Lombardi, “Papa Françesku, me rastin e vizitës në Dikasterin e Kultit Hyjnor, kujtoi shprehimisht se forma ‘e zakonshme’ e kremtimit të meshës është ajo e parashikuar në Mesharin e miratuar nga Papa Pali VI, ndërsa ajo ‘e jashtëzakonshme’, e cila u lejua nga Papa Benedikti XVI për qëllimet e me mënyrat e shpjeguara prej tij në Motu Proprion-n ‘Summorum Pontificum’, nuk duhet të zëvendësojë meshën ‘e zakonshme’”. Prandaj, thekson zëdhënësi i Vatikanit, “nuk parashikohen direktiva të reja liturgjike, duke filluar nga Koha e Ardhjes, siç e ka menduar ndokush duke iu referuar disa fjalëve të kardinalit Sarah dhe është mirë të shmanget përdorimi i shprehjes ‘reformim i reformës’ përsa i përket liturgjisë, ngaqë është burim keqkuptimesh”. Drejtori i Sallës së Shtypit nënvizoi se ky qëndrim është diskutuar nga Papa Françesku me vetë prefektin e Kongregatës për Kultin Hyjnor, thirrur në audiencë menjëherë pas konferencës së Londrës.








All the contents on this site are copyrighted ©.