2016-07-12 13:09:00

Atë Lombardi: vazhdoj t’i shërbej Kishës, rregulltarët nuk dalin në pension


Jehonë e madhe në shtypin ndërkombëtar për emërimin e Greg Burke, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Gazetari amerikan vjen pas atë Federico Lombardi-t, i cili, menjëherë pas lajmit, po merr telefonata e mesazhe falenderimi nga e gjithë bota, për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm si zëdhënës vatikanas. Në mikrofonin e radios sonë, në të cilën ka qenë, në periudha të ndryshme, drejtor i përgjithshëm dhe drejtor i programeve, atë Federico Lombardi shpreh ndjenjat me të cilat po e jeton këtë çast dhe përshkon 10 vjetët e punës drejtuese në Sallën e Shtypit:

         Në të vërtetë, nuk ishte e papritur për mua! Herët a vonë, më dukej absolutisht e qartë se detyrës sime do t’i vinte fundi. Nuk jemi të përjetshëm… I kisha shfaqur disa herë Papës, edhe gjatë këtyre tri vjetëve, gatishmërinë e plotë për të shërbyer sipas mundësive të mia, por edhe për t’iu nënshtruar çdo lloj vendimi, që mund të merrej për të më zëvendësuar në këtë detyrë.

         Kemi dëgjuar, pikërisht në një intervistë për Radio Vatikanin, se Greg Burke ka një farë frike për detyrën që e pret. Si i komentoni këto fjalë?

         Pak frikë – të themi kështu – plot nderim për një shërbim impenjues, që ka të bëjë me Papën dhe me jetën e Kishës, është e kuptueshme. Por të gjithë ne e dimë se kemi kufizime e nëse jemi të thirrur të kryejmë një detyrë, kemi besim se Zoti na ndihmon ta çojmë deri në fund e se ai, që na e ka dhënë këtë detyrë, e ka menduar mirë se kujt po ia jep. Prandaj, duhet të ndjehemi në një atmosferë besimi e shprese. Natyrisht, shumë gjëra mësohen… Edhe unë, para 10 vjetësh, shumë gjëra të këtij shërbimi nuk i njihja fare, pra, mund të kisha pasiguri, ose vështirësi për të gjetur pikat e referimit apo informacionet e nevojshme. Pastaj, njeriu ecën, bën një copë rrugë, mëson, fiton më shumë siguri e qetësi në kryerjen e detyrës. Kjo është rrugë normale për çdo punë: askush nuk pret që të fillosh në kulmin e përvojës, të njohurive e të aftësive. Ecet përpara! Mendoj se si për Greg Burke, ashtu edhe e, sidomos, për Paloma Garcia Ovejero, që e fillon punën kaq e re, do të jetë një përvojë e bukur, gjatë së cilës do të gjejnë shumë vetë, që i ndihmojnë. Unë kam gjetur gjithnjë gatishmëri të madhe nga të gjithë, në botën vatikanase, në Kurie, për të gjitha informacionet apo këshillat, për të cilat kisha nevojë. Nuk lëvizim në një botë, ku njerëzit të vënë në shënjestër: do të theksoja se jo! Edhe në botën gazetareske, së cilës duhet t’i shërbejnë dy kolegët tanë, gjejmë shumë simpati – më duket – që në fillim e shumë vlerësim e besim. Prandaj, mund të jenë plotësisht të qetë.

         Në dhjetë vjet, ju keni pasur privilegjin të ndiqni nga afër papninë e Benediktit XVI e pastaj, vitet e para të papnisë së Françeskut. Cilat janë çastet më të vështira, që keni pasur, si zëdhënës i Vatikanit?

         Të gjithë mund t’i kujtojnë – edhe nga kronika – cilat kanë qenë çastet e vështira, kritike, të përjetuara me tension… Unë personalisht them se përvoja pak më e dhimbshme, që kam përjetuar, është ajo e ndjekjes dhe e pjesëmarrjes në të gjitha fazat e debatit, edhe publik, mbi çështjet e abuzimeve seksuale: diçka, vërtet shumë e dhimbshme. Kam marrë pjesë me intensitet, duke e ditur se ishte rruga e purifikimit të Kishës, për të cilën na pati folur kaq shumë Papa Benedikti e që duhej ta përshkonim. Jam përpjekur të jap edhe kontributin tim, në bashkëpunim me të tjerët, që të bëheshin hapa përpara drejt sqarimit, drejt transparencës, drejt së vërtetës, në mënyrë që këto gjëra të mos ndodhin më, ose, së paku, të përballohen drejt, menjëherë e në thellësi që në fillim. Edhe çaste të tjera si ai i daljes së dokumenteve të rezervuara, ose ai i tensioneve të brendshme  në Vatikan, kanë qenë momente të përjetuara me vuajtje: e jo sepse ishin të vështirë nga pikpamja profesionale – mjaftonte të thoje të vërtetën, të thoje gjërat që kishe për të thënë e kjo s’ishte punë e vështirë! – por çështja është se e përjeton vuajtjen, merr pjesë në të, megjithëse me vetëdijen se, edhe në përmasën e komunikimit, po ecën në udhën e përmirësimit, të përgjigjes, të sqarimit të së vërtetës, të paraqitjes së një këndvështrimi më të përshtatshëm, më të plotë e më të qetë të problemeve. Duke ndihmuar edhe kolegët dhe botën përreth ta kuptojnë këtë humanitet, me gjithë kufizimet e tij, por gjithnjë në këndvështrimin e misionit pozitiv të Kishës, pavarësisht nga dobësitë njerëzore të shumë vetëve, që bëjnë pjesë në të.

         Si e ndjeni veten kur mendoni se, duke filluar nga 1 gushti, telefoni juaj nuk do të bombardohet me mesazhe, kërkesa, telefonata, në çdo orë të ditës?

         Mendoj se ndryshon lloji i shërbimit, por as e kam ndërmend të dal në pension! Kjo është fjalë, që nuk ekziston për një rregulltar, i cili përpiqet të jetë në dispozicion të shërbimit për Zotin e për Kishën gjatë gjithë jetës së vet, çdo ditë. Prandaj, nëse nuk do të kem telefonatat e gazetarëve, që kërkojnë përgjigje për ndonjë çështje urgjente, ka shumë mundësi të kem telefonata ose marrëdhënie të tjera, të cilave do të përpiqem t’u përgjigjem me gjithë zemër.








All the contents on this site are copyrighted ©.