2016-07-11 17:26:00

Greg Burke: Salla e Shtypit i flet botës, mirënjohje atë Lombardit


Për herë të parë një amerikan emërohet drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Pak pas emërimit, drejtori i ri i dha Radio Vatikanit intervistën e  tij të parë, duke u ndaluar posaçërisht tek detyra e re, komunikimi gjithnjë më ndërkombëtar i Kishës, si dhe tek figura e atë Federico Lombardit. Ta dëgjojmë drejtorin e ri të Sallës vatikanase të Shtypit, Greg Burke, në mikrofonin  e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Jam shumë entuziast, do të thosha “excited” në anglisht. Por, në të njëjtën kohë, duhet të them se nuk e fsheh edhe pakëz frikë. E kuptoj fare mirë se Salla e Shtypit nuk është punë e lehtë. Një gjë është të jesh gazetar, punë që më ka pëlqyer shumë këto vite, e gjë tjetër kjo detyrë, e cila më duket shumë e ndërlikuar!

Pyetje: - Shumëkush çuditet: një drejtor i ri shekullar, një zëvendës-drejtor shekullar, e për më tepër, grua, e pastaj, edhe një larmi kulturore e dhe gjuhësore, një anglishtfolës e një spanjishtfolëse….

Përgjigje: - Po, besoj se fjala e sotme është “international”, ndërkombëtar. Kisha katolike, për vetë natyrën e saj, është universale. Në këtë univers, sot e kemi të qartë se spanjishtja është shumë e rëndësishme për botën katolike. Por ama, nëse dëshiron të merresh me mbarë botën, duhet të flasësh edhe anglishten, nuk ka dyshim.

Pyetje: - Ç’do të thotë për ju t’i zini vendin atë Federico Lombardit?

Përgjigje: - Në këto vite kam parë tek Atë Lombardi një durim të pakufishëm: pikërisht kështu…Po jo vetëm këtë; kam përdorur fjalën angleze “gracious”, sepse përmban sa fisnikërinë, aq edhe mirësjelljen, sjelljen e njerëzishme. Ai ia del mbanë të jetë gjithnjë shumë i njerëzishëm  me gjithkënd, shumë i gatshëm; me një përkushtim të plotë në punë, në shërbim të Atit të Shenjtë. Shpresoj që t’i kem - së paku pjesërisht -  këto virtyte. 








All the contents on this site are copyrighted ©.