2016-07-11 14:07:00

Françesku emëron Greg Burke drejtor të ri të Sallës së Shtypit


Papa Françesku pranoi kërkesën e paraqitur nga atë Federico Lombardi për dorëheqje nga detyra e Drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë dhe, në vend të  rregulltarit jezuit, emëroi Drejtor të Sallës vatikanase të Shtypit, Greg Burke, deri tani zëvendës-drejtor i të njëjtit ent, që do ta fillojë detyrën duke nisur nga 1 gushti 2016.

Papa  emëroi edhe zëvendës-drejtoren e re të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Paloma García Ovejero, që, gjithashtu, do ta fillojë këtë detyrë nga data 1 gusht.

Dy laikë, dy gazetarë të nivelit ndëkombëtar, në udhëheqje të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Për ta pasuar Atë Lombardin, pas dhjetë vjet pune të jashtëzakonshme, Papa thirri si drejtor Greg Burke. I lindur 57 vjet më parë në Saint Louis të SHBA-ve, në një familje me traditë katolike praktikante, Burke, pasi pati ndjekur një nga licetë e jezuitëve të qytetit, u diplomua, në vitin 1983, në letërsi të krahasuar, pranë Columbia University të New York-ut, për t’u specializuar, më pas, për gazetari. Vitet e fundit hyri si anëtar i Opus Dei.

Greg Burke: nga Time në Fox News, pastaj emërimi si Këshilltar i Komunikimit në Vatikan

Greg Burke ka punuar pranë “United Press International” të Chicago-s, për “Reuters” dhe për të përjavshmen “Metropolitan”, derisa u dërgua në Romë si korrespondent i së përjavshmes “National Catholic Register”. Në vitin 1990 nisi të bashkëpunojë me revistën Time e ishte korrespondent i revistës kur, më 1994, do ta shpallte Shën Gjon Palin II, “Personalitet i vitit”. Në vitin 2001, gazetari amerikan nisi të punojë për televizionin si korrespondent në Romë, për Fox News. Më 2012 u thirr nga Sekretaria e Shtetit, Seksioni për Punët e Përgjithshme, si Këshilltar për Komunikimin. Nga 21 dhjetori 2015 është zëvëndës-drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

Paloma Ovejero: nga 1998 gazetare e “Cadena Cope, Radio Española”

Zëvendës - drejtorja e re e Sallës vatikanase të Shtypit, Ovejero, e lindur në Madrid, 41 vjet më parë, pasi u diplomua në gazetari, më 1998, pranë Universitetit Complutense të Madridit, u specializua në drejtimin e  strategjive të komunikimit në New York University. Nga viti 1998  është redaktore edhe prezentuese e “Cadena Cope, Radio Española”, me cilësinë e kryeredaktores. Nga shtatori 2012 është korrespondente për Italinë  dhe për Qytetin e Vatikanit, duke bashkëpunuar, përveçse me “Cadena Cope, Radio Española”, edhe me emitente të tjera televizive dhe gazeta të tjera.  








All the contents on this site are copyrighted ©.