2016-07-11 14:06:00

Dita Botërore e Popullsisë, sfidat për mirëqënien dhe zhvillimin


U kremtua sot, më 11 korrik, si çdo vit në këtë datë, për të 27-tën herë, Dita Botërore e Popullsisë. Themeluar në vitin 1989 nga Këshilli drejtues i Programit të OKB-së për Zhvillimin e kremtuar për herë të parë më 1990, kjo Ditë synon ndërgjegjësimin për problemet e popullsisë në botë. Pedagogu italian i Demografisë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Katolik të Milanos, prof. Alessandro Rosina, flet në mikrofonin tonë për sfidat, që duhet të përballojë bota që të zhduket uria e sëmundjet, por edhe të ruhet ambienti:

         Këto janë sfida, që arrijmë t’i përballojmë vetëm nëse nga njëra anë, kemi një politikë largpamëse e, nga ana tjetër, i kthejmë problemet në sfida kulturore, që kuptohen edhe nga poshtë, nga të gjithë qytetarët. Edhe kjo është sfidë, të cilën duhet ta fitojmë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, nëse duam të ndërtojmë një botë më të mirë, jo të mbyllur, por të hapur ndaj kulturave të tjera e ndaj ardhmërisë.

         Po përjetojmë një nga eksodet më të mëdha të historisë, shkaktuar sidomos nga konfliktet pa fund në Lindjen e Mesme e në Afrikë. Si mund ta përballojë Evropa këtë fluks të madh emigracioni?

         Emigracioni është diçka, që ndihet më shumë aktualisht, që ndikon më shumë e që mund të sjellë paqëndrueshmëri. I kemi para sysh edhe rezultatet e referendumit anglez; kemi nevojë të shohim se po zbatohen politika, që funksionojnë në terren, që nuk shkaktojnë frikë, që nuk janë populiste, por japin shpresë, besim, mundësi për integrim të vërtetë pozitiv. Mikpritja duhet të bëjë pjesë, në mënyrë bindëse e funksionale, në një proces e në një model gjithëpërfshirës zhvillimi.

         Në Perëndim, shtohen të moshuarit e pakësohen të rinjtë, por nuk ndodh kështu, për shembull, me vendet aziatike. Cilat janë politikat, që duhen zbatuar, për t’u siguruar jetë cilësore si të parëve, ashtu edhe të dytëve?

         Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që këto ndryshime të mos thellohen, por të zvogëlohen. Ai modeli gjithëpërfshirës, për të cilin flisja më parë, duhet të sjellë bashkëpunim. Të rinjtë mund të sjellin entuziazmin, dëshirën për risi, krijimtarinë e tyre në shoqëri. E pikërisht sepse janë pak, sidomos në Evropë, duhet të investohet për të nxjerrë në pah ç’do gjë të mirë prej tyre, për ta realizuar e për ta luajtur kartën e risisë, që sjellin. Brezat më të pjekur kanë përvojë, aftësi për t’i udhëhequr e për t’i mbështetur brezat e rinj, duke i drejtuar në vendimet, që u duhet të marrin. Sa më tepër investon një vend në kontributin e qëndrueshëm, cilësor dhe sasior të brezave të rinj, aq më i begatë do të bëhet. Sa më tepër kjo bëhet në bashkëpunim me brezat e vjetër, aq më shumë krijohet një model gjithëpërfshirës, që sjell mirëqënie për të gjithë.

         Dita Botërore e Popullsisë është edhe rast për të kremtuar humanitetin tonë të përbashkët. Si mund të ndjehemi një e të pandarë, pa lënë mënjanë ndryshimet?

         Nëse në bazë qëndron kjo sjellje, e cila ka të bëjë me sfidën kulturore dhe me vlerat themeltare, që e venë në qendër njeriun, zhvillimin e tij dhe ndërveprimin pozitiv mes njerëzve, atëherë kjo bëhet pikënisje e qëndrueshme, që njihet nga shoqëria. Në këtë mënyrë, natyrisht, mund të fitohet çdo lloj sfide.








All the contents on this site are copyrighted ©.