2016-07-09 15:17:00

Porta Shenjte, simbol i krishterimit


Porta Shenjte e Bazilikës së Vatikanit…. Ka kaluar tashmë gjysma e Vitit Shenjt, që kur u hap. Portë me histori të gjatë e të lumnueshme. Simbol i Mëshirës hyjnore, vijon t’ua hapë krahët ditë për ditë besimtarëve. Arrijnë në Romë me Kryqin, simbol i Vitit Shenjt, që u prin. Nisen ngadalë me lutje, nga Kështjella e Shën Engjëllit, drejt Bazilikës së Popujve, më të madhes Kishë të krishterimit. Vijnë me aromën e vendeve të tyre: të detit, të malit, të ekuadorit të përvëluar e të majeve të maleve gjithnjë me akull e dëborë. Vijnë me të njëjtin devocion, për të kapërcyer Portën Shenjte të Jubileut të jashtëzakonshëm të 2016-tës. Vijnë për të kërkuar mëshirë, atë mëshirë për të cilën njeriu ka gjithnjë nevojë. Vijojnë të vijnë, që nga Jubileu i parë, kremtuar në vitin 1300, që nga kapërcimi i Portës së parë Shenjte, hapur 200 vjet më pas, me bulën Inter Curas të Aleksandrit  VI.

Vijon të jetë e hapur kjo Portë, e vijon të presë e të përcjellë shtegtarë nga të katër anët, që vijnë ngarkuar me shqetësimet e mijëra jetëve, e  rikthehen në vendet e tyre të largëta me një ngushëllim të madh, atë që mund ta japë vetëm Mëshira Hyjnore!

Porta, simbol i krishterimit, është ende e hapur… Porta pret… për t’u ritreguar besimtarëve historinë mijëravjeçare të Kryqit e të Ngjalljes…   








All the contents on this site are copyrighted ©.