2016-07-09 18:58:00

Ndërroi jetë kardinali Piovanelli. Françesku: e deshi fort Kishën


Ndërroi jetë gjatë natës kardinali Silvano Piovanelli, kryeipeshkëv i Firences nga viti 1983, deri në vitin 2001. Ishte 92 vjeç. Papa e mori “me trishtim” lajmin e vdekjes së prelatit të lartë, “pas një sëmundjeje të rëndë, të jetuar me shpirt të qetë e lëshim të plotë në dorën e Zotit”. Kështu i shkruan, në një telegram, kryeipeshkvit të Firencës, kardinalit Giuseppe Betori, Françseku që, pak ditë më parë i pati  telefonuar kardinalit të ndjerë, për t’i shprehur afërsinë e dashurinë e tij. Në telegram Papa i ngushëllon familjarët dhe gjithë bashkësinë dioqezane, duke i siguruar “për pjesëmarrjen e thellë në dhimbjen e tyre”. “Mendoj - nënvizon Ati i Shenjtë, nësa kujtuon me mirënjohje veprën e palodhur baritore të kardinalit të ndjerë - për këtë vëlla të dashur në ipeshkvni, që i shërbeu Ungjillit me gëzim e urti dhe që e deshi fort Kishën”.

Kujtojmë se Silvano Piovanelli lindi në Ronta di Mugello. I ati ishte bojaxhi, e ëma, rrobalarëse. Zgjodhi shpejt rrugën e meshtarisë, që e kurorëzoi me shugurimin meshtarak, në vitin 1947. Më 1948 u emërua zëvendës-rektor i Seminarit të vogël, detyrë që e kreu me sukses për 12 vjet e që shënoi një kthesë të fortë në jetën e tij. Ishin vitet parakonciliare, kur meshtari i ri rrethohej nga bashkëpunëtorë vërtet të zellshëm e frytdhënës. Më 1982 u emërua ipeshkëv-ndihmës. Më 18 mars 1983, Gjon Pali II e emëroi kryeipeshkëv të Firences, për ta krijuar kardinal në Koncistorin e 25 majit 1985, me titullin e Shën Marisë së Hireve, në Rrugën romake Trionfale.

Me vdekjen e kardinalit Piovanelli, Kolegji kardinalor mbetet me 212 kardinaj, nga të cilët, 112 me të drejtë zgjedhore.








All the contents on this site are copyrighted ©.