2016-07-09 15:09:00

Javë zije në Kishën aziatike, për viktimat në Dacca


“Përballë dhunës, që tashmë ka arritur kulmin, ne marrim forcë nga mëshira e pambaruar e Zotit e jemi të thirrur t’i përballojmë këto sfida të rënda,  me solidaritetin paqësor të të gjithë njerëzve vullnetmirë”. Është pohimi për agjencinë AsiaNews, i kardinalit Oswald Gracias, kryeipeshkëv i Mumbait dhe kryetar i Federatës së Konferencave ipeshkvnore aziatike (Fabc) me rastin e festës së Eid al-Fitr, në përfundim të Ramazanit.

Të ndërtohen ura paqeje  e pajtimi

Prelati i lartë kujton, posaçërisht, viktimat e masakrës së Dacca-s, në Bangladesh, shkaktuar nga terroristët islamikë dhe pohon se mbarë Kisha aziatike është në zi:

“Jetojmë në një epokë rreziqesh të mëdha, por edhe mundësish të mëdha për njerëzimin e për botën - shton - një epokë që na ngarkon të gjithëve dhe me përgjegjësi të mëdha. Është e domosdoshme dhe urgjente që liderët fetarë, qeveritë e bashkësitë të punojnë për të ndërtuar ura paqeje e për të promovuar pajtimin”.

Mos të biem në dëshpërim

Tragjedi pas tragjedie, në bashkësinë e madhe të krishterë aziatike. Po kardinali Gracias i fton besimtarët të mos dëshpërohen, të mos e humbasin guximin përballë forcave të rrezikshme, por të punojnë për paqen  e pajtimin.

Fetë të jenë burim paqeje e harmonie në shoqëri

“Uroj që miqësia ndërmjet të krishterëve e myslimanve - përfundon kardinali Gracias - t’i frymëzojë të gjithë për të bashkëpunuar në përballimin e këtyre sfidave  e  që fetë  të jenë burim harmonie për mirëqenien e shoqërisë dhe  të mbarë familjes njerëzore. 








All the contents on this site are copyrighted ©.