2016-07-09 15:26:00

Java e Papës Françesku: porosia kryesore


Të dielën e kaluar Papa filloi pushimet verore duke u takuar me besimtarët në lutjen e Engjëllit të Tënzot.  Pritej, prandaj, një javë pa veprimtari, një javë pushimi. Po Françesku dëshiron të jetë gjithnjë pranë njerëzve: në gaz e në mort! Prej këndej java e pushimeve papnore ishte përsëri plot me ngjarje: takime, videomesazhe e kumtime për veprimtari të reja, duke nisur nga Videomesazhi i së martes së kaluar, në mbështetje të fushatës së Caritas Internationalis për paqen në Siri, me denocimin e fuqishëm:

“Ja, dëshiroj t’u drejtohem mbarë besimtarëve e edhe atyre, që angazhohen, me Karitasin, në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë. E ndërsa populli vuan, sasi të pabesueshme parash shpenzohen për t’i furnizuar ndërluftuesit me armë. E disa nga vendet furnizuese të këtyre armëve janë edhe ndërmjet atyre, që flasin për paqen! E si mund t’i besosh atij, që me dorën e djathtë të ledhaton e me të majtën të godet?”.

Të mërkurën, pastaj, Papa priti në Sallën Pali VI, në Vatikan, pjesëmarrësit në një shtegtim skamnorësh, ardhur nga Dioqezat franceze të Provincës së Lionit, kryesuar nga kardinali Philipe Barbarin. Porosia kryesore, që u dha Ati i Shenjtë varfanjakëve francezë, ishte: “Lutuni për fajtorët e varfërisë suaj, që të pendohen! Lutuni për të pasurit, që nuk kanë mëshirë për të varfërit!”. 

Para tyre, një pritje intime, thellësisht njerëzore: Françesku u takua me prindërit e të riut amerikan, që u gjet i vdekur në lumin Tevere, duke marrë pjesë në dhimbjen e tyre.

Menjëherë pas, Papa Françesku bëhet zëdhënës i instancave të popujve indianë, identiteti i të cilëve vijon të kërcënohet gjithnjë më shumë. Kësaj radhe shfrytëzon rastin e Ndjetit të lutjes për muajin korrik. Në një video përgatitur me këtë rast, Papa u kërkon të gjithëve të bashkojnë zërat në mbrojtje të popujve vendas indianë.

Të premten, duke pritur në audiencë, në Vatikan, kardinalin Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Papa autorizoi Dikasterin të shpallë Dekretet që kanë të bëjnë me nëntë të Lumtur e gjashtë Shërbëtorë të Nderuar të Zotit: ndërmjet tyre, Josef Mayr-Nusser, që vdiq për të mos iu betuar për besnikëri Hilerit.

Pastaj, njoftimi se Papa planifikon shtegtime e veprimtari të reja. Në gusht do të rifillojë audiencat e përgjithshme. Nga 27 deri më 31 korrik, shtegtimi për DBR-në, me etapa në  Krakov, Czestochowa e Auschwitz. E më pas, vizita  në Porciunkola, mbasditen e 4 gushtit. Rasti: 800-vjetori i Ndjesës së Asizit, që bie povidencialisht në Vitin Shenjt të jashtëzakonshëm të Mëshirës.

E sot, në qendër të vëmendjes në lutjen e Engjëllit, pyetja më e rëndësishme: “O Zot, ç’duhet të bëj për të trashëguar jetën e pasosur?” e natyrisht, edhe përgjigjja e Papës, në përkim me Ungjillin e së dielës: “Vepro sipas Urdhërimit kryesor e do meritosh jetën e pasosur”.

Njerëz të papërkryer, të trazuar përherë nga mëkati, nuk e kemi të qartë ç’është e drejtë e ç’është e padrejtë për ne, madje shpesh nuk jemi gati as për të bërë mirë. Prandaj na i dha urdhërimet Zoti: ato na tregojnë ç’është e drejtë e na bëjnë ta ndjejmë në shpirt ç’duhet bërë.  Ligji shkruan: “Do ta duash Zotin, Hyjin tënd me gjithë forcën e me gjithë mendjen tënde, e të afërmin, si vetveten!”. “Vepro, pra, sipas këtij Urdhërimi, e do meritosh jetën e pasosur”. E, sidomos: "Bëju i afërt me atë, që vuan; pa vepra, feja është e vdekur".

Kjo, porosia kryesore e Papës këtë të diel. 








All the contents on this site are copyrighted ©.