2016-07-09 00:00:00

Shenjtorët e javës më 10 -17 korrik


E diel 10 korrik, Kisha kremton të Dielën e 15-të gjatë vitit kishtar, e po më 10 korrik, kalendari përkujton edhe shenjtoret Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitorja, martire. Liturgjia e ditës na paraqet kërkesën qendrore e rrënjësore të moralit të krishterë: dashurinë. Të jemi të vëmenshëm e të kujdesimi sipas shëmbëlltyrës së samaritanit të mirë.

Të hënën më 11 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Benediktin, Abat, nga Norça, pajtor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekimi - e Shën Piun I papë.  Shën Benedikti është ati i jetës murgare perëndimore. Rregulli i tij, që përmbledh traditën murgare lindore, duke e përshtatur me botën latine, hap rrugën e re të qytetërimit evropian, pas rënies së qytetërimit romak. Në brazdën e hapur nga Benedikti në mbarë kontinentin e vjetër, u mbollën e mbinë manastire të shumtë, qendra përshpirtërie të thellë dhe fanarë që vijojnë të japin dritë edhe sot, kur shumë prej tyre janë materialisht s’janë, veçse rrënoja.

Të martën më 12 korrik, kalendari kishtar  përkujton Shën Veronikën. Emri i saj përmndet për herë të parë në Ungjijtë apokrifë, lidhur me gruan që vuante nga hemorragjia, për të cilën ungjijtë kanonikë tregojnë çau turmën për të prekur kindin e petkut të Jezusit dhe u shërua në vend.

Të mërkurën më 13 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Henrikun II Duka i Bavarìsë, qe kurorëzuar perandor më 1014 nga Papa Benedikti VIII. Mbretëroi duke u përkujdesur për promovimin dhe ngritjen njerëzore të krishterë të njerëzve. Prapa insistimit të tij papa Benedikti VIII e vendosi Besojmën e krishterë në Meshën e së dielave e të festave kryesore.

Të enjtën më 14 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Kamilin de Lellis, meshtar. Lutja që Shën Kamili pëlqente më shumë e të cilën e përsëriste më shpesh: “Do të desha një zemër të madh sa vetë bota!”. Një zemër që i zë të gjithë njerëzit. Jetoi me moton: “T’u shërbesh të varfërve, do të thotë t’i shërbesh vetë Krishtit”. Kamili gjeti kështu idealin, për të cilin ia vlen të shkrish të gjitha energjitë e jetës.

Të premten më 15 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Bonaventurën nga Bagnoregio, ipeshkëv e dijetar i Kishës, teolog e mistik i madh françeskan.Liturgjia hyjnofre na kujton se në mbarim të jetës sonë, kur do të prekim bregun tjetër, vetë Zoti do t’i marrë në duart e tij veprat tona të mira. Atje do të vijnë edhe engjëjt e do të pastrojnë, bashkë me Të, çka nuk është pastruar plotësisht në jetën tonë. E në dorë të Zotit do të mbetet vetëm dashuria e jetuar
 
Të shtunën më 16 korrik, Kisha do të kremtojë festën e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës në Shqipëri e njeh me emrin Zoja Karmë. Përkujtohet edhe Shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës. Liturgjia e festës na kujton se Jezusi është në qëndër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vemë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje.
 
Të dielën e ardhshme më 17 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 16-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 16 korrik kalendari përkujton edhe Shën Marçelinën, virgjër, motër e Shën Ambrozit, ipeshkëv; Shën Aleksin e Shën Leonin IV, papë.
Liturgjia e së dielës së ardhshm na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.