2016-07-08 10:39:00

“Jubileu. Viti Shenjt i Mëshirës”. Jezusi dhe bashkësia me fytyrën e bariut


Pasi folëm për veprimin e hirit hyjnor mbi njeriun e humbur, që dëshiron të kthehet në rrugë të drejtë, bazuar mbi shëmbëlltyrën e deles e të drahmës së humbur e të gjetur, në emisionin e 46-të të rubrikës jubilare, do të flasim për Jezusin dhe bashkësinë me fytyrën e bariut. Të kthehemi, prandaj, tek marrëdhëniet ndërmjet bariut e deleve: ta thellojmë kuptimin e kësaj marrëdhënieje, përmes Ungjillit të Gjonit e të Mateut. Në Ungjillin e Gjonit (10,1-16) Jezusi na tregon similitudën e bariut të mirë (që mund të përkthehet edhe bariu i bukur), me të cilin identifikohet. Është bari i mirë, sepse i njeh delet e veta me emër, e është gati të japë edhe jetën për to. Ndryshon nga rrogëtari e aq më tepër, nga cubi. Nëse rrogtari interesohet vetëm për rrogën e tij, bariu i ruan delet, pa pyetyr për lodhjen, as për kohën që humbet për t’u mësuar me delet e delet, me të. E ndërsa cubi jeton për t’i grabitur delet, bariu shkrin vetveten për to.

Çka e dallon rrogëtarin e cubin nga bariu, është qëndrimi përballë rrezikut! Kur duket ujku, rrogëtari ia mbath, i braktis delet, sepse nuk i interesojnë aspak. E pikërisht këtu dallohet bariu nga rrogëtari e nga cubi: përballë kthetrave të ujkut, ata janë gati t’ia mbathin këmbëve, për të shpëtuar lëkurën e vet,  pa pyetur fare për delet. Ndërsa  bariu është gati të dhurojë edhe pikën e fundit të gjakut për të shpëtuar qoftë edhe një dele të vetme të grigjës. Kështu është Jezusi, bari i mirë e i bukur, gjë që nuk ka të bëjë me pashinë, por me vendimin që merr për të mbetur me delet, për t’i mbrojtur përballë ujkut.

Nëse në rrëfimin e Gjonit Jezusi, Bariu i mirë, dallohet për dhurimin e pashembullt të vetvetes, deri në derdhjen e gjakut, në  Ungjillim e Mateut  vërejmë një përmasë të re në lidhjen ndërmjet bariut dhe deleve. Tek Mateu (18,12.14) ritregohet e njëjta shëmbëlltyrë, që e gjejmë në Ungjillin e Lukës, (15,4-7), por rrethanat janë të  ndryshme. Pjesa e parë e shëmbëlltyrës u kushtohet “të vegjëlve”, që duhen mikpritur në bashkësinë e krishterë e arrin kulmin me shëmbëlltyrën e Bariut të Mirë. E konteksti i ndryshëm e zhvendos vëmendjen mbi ndikimin e shëmbëlltyrës: “Ky, vullneti i Atit  tuaj, që është në qiell, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë”(Mt 18,14). Kisha është  tejet e pranishme në shëmbëlltyrë, sepse asaj iu besua vullneti i Atit: që asnjë i vogël të mos humbasë.

Kisha  ka  fytyrën e Atit  të mëshirshëm, kur është nënë e në kërkim të deles së humbur, e gjithë gëzim, kur e gjen, pa i harruar kurrë ato, që ravgojnë malesh. Shihet qartë se tani shëmbëlltyra e Bariut të Mirë e ka fjalën  për Kishën e barinjtë e saj. Të vegjlit, që  nuk gjejnë asnjë skutë në shoqëri, fitojnë të drejtën e qytetarisë në bashkësinë e krishterë. E jo vetëm mikpriten, por edhe kërkohen. Kishës, që ecën në udhën e puritanizmit e të efiçentizmit, Jezusi i kundërvë Kishën, që ka në qendër të vëmendjes të varfërit. Nëse Kisha është atje, ku dy vetë a më shumë mblidhen në emër të Jezusit, Fytyra e Krishtit në Kishë është ajo e të vegjëlve.

Shkrimtari gjenial italian Aleksandër Manzoni e rishkroi shëmbëlltyrën e deles së humbur në kryeveprën e tij “Të fejuarit”, në skenën ku përshkruan takimet e të Paemrit me Luçinë e kardinalin Federigo Borromeo. Nuk mund të ndalemi këtu gjatë tek kapitujt XXI e XXIII të “Të Fejuarve”, por po ia kujtojmë dëgjuesit tonë për bukurinë e tyre të rrallë, duke u ndaluar tek fjalët që Luçia i thotë të Paemrit: “Zoti fal shumë sende, për një vepër mëshire”. E ky pohim ia ndalon dorën të Paemrit, që po bëhej gati të vetvritej në një natë të zezë ankthi: të nesërmen i Paemri takohet me kardinalin Federigo. E kardinali e qorton veten e ndjehet fajtor, sepse duhet ta kishte kërkuar, e jo të priste që i Paemri të vinte tek ai. E ja edhe rileximi i shëmbëlltyrës: “T’i lëmë nëntëdhjetë e nëntë delet, që janë të sigurta mbi mal; unë dua të rri me atë, që pati humbur e u gjet. Për të provuar atë gëzim që provoi Bariu i Mirë kur u kthye në shtëpi.  E kjo është mrekullia e mëshirës!”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.