2016-07-08 15:10:00

Vatileaks2 . Pafajsi për gazetarët , dënim për imzot Vallejo e Chaouqui


Pas 21 audiencave e tetë muajsh, në Vatikan u mbyll shkalla e parë gjyqësore e procesit për përvetësimin dhe përhapjen e dokumenteve të rezervuara. Pushon çështja penale kundër gazetarëve Nuzzi e Fittipaldi, dënohen imzot Vallejo e Chaouqui, Maio fiton pafajsinë.

Ishte kryetari i Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, Giuseppe Dalla Torre, që e lexoi, dje pasdite, vendimin për procesin e nisur në nëntor 2015. Gjykata pohoi se nuk mund t’i gjykojë të pandehurit Gianluigi Nuzzi e Emiliano Fittipaldi. Vendimi nuk hyri në hollësira  lidhur me presionet që mund ose nuk mund të kenë bërë gazetarët për sigurimin e dokumenteve sekrete.

Ndërkaq imzot Angel Lucio Vallejo Balda, ish-sekretar  i Komisionit për studimin dhe mbledhjen e të dhënave mbi entet e Vatikanit dhe të Selisë së Shenjtë, u dënua me 18 muaj burgim. Sipas gjykatësve ishte ai, që i mori dhe ua dorëzoi  gazetarëve dokumentet e rezervuara. Prelati do të mbetet në gjendje gjysëm të lirë brenda kufijve të Vatikanit. U dënua për bashkëpunim edhe Immacolata Chaouqui, me dhjetë muaj ndalim lirie, dënim që do ta vuajë me kusht.

Në qendër të vëmendjes, gjatë vendimit, edhe liria e shtypit si dhe shprehja e lirë e mendimit në Vatikan ku, saktësohet, “kjo liri garantohet nga Drejtësia Hyjnore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.