2016-07-08 17:58:00

Do të jetë i Lum Josef Mayr-Nusser: vdekur pse dëgjoi Krishtin, jo Hitlerin


Papa Françesku, duke pritur në audiencë kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, autorizoi Dikasterin të shpallë Dekretet që kanë të bëjnë me 9 të Lumtur të rinj e 6 Shërbëtorë të Nderuar të Zotit.

Ndërmjet të Lumëve të rinj, është figura mahnitëse  e Josef Mayr-Nusser. I lindur më 1910, në Bolzano, në një familje fshatarësh thellësisht të krishterë, u bë drejtues i Veprimit Katolik jug-tirolez, në një kohë dramatike, kur Evropa kërcënohej nga nazizmi e fashizmi. U martua vetëm 22 vjeç e, pas një viti, u bë me djalë. Shkonte në Meshë ditë për ditë e i pëlqente shumë të lexonte Tomas Moron, kancelarin anglez që, në shekullin e 16-të, iu kundërvu për arsye të ndërgjegjes Henrikut VIII. Pranoi më mirë t’i pritej koka, sesa t’i kundëvihej fesë tij katolike. Jozefi nisi të ecë në gjurmët e kancelarit të madh. Hyri fshehurazi në një lëvizje antinaziste. Sot, thoshte, dhënia e dëshmisë është e vetmja armë, që mund të përdorim në luftën tonë! E sot, më shumë se kurrë, “duhet t’u tregojmë të gjithëve se i vetmi Prijës, që ka të drejtë për një autoritet të plotë, të pakufizuar mbi ne, është Krishti”. U mobilizua me forcë nga nazistët në radhët e trupave famëkëqija të SS-ve. Në çastin kur duhej të betohej për besnikëri ndaj Hitlerit, refuzoi. U burgos menjëherë dhe u nis me një tren bagëtish në kampin e Dachaut. Vdiq nga keqtrajtimet e nga mungesat gjatë udhëtimit: ishte vetëm 34 vjeç. Vdiq, sepse deshi të dëgjonte Krishtin, jo Hitlerin!

Ndërmjet të Lumëve të rinj, janë edhe 7 misionarë spanjollë të Zemrës së Krishtit, ndërmjet të cilëve, Antonio Arribas Hortigüela, vrarë nga urrejtja kundër fesë, më 29 shtator 1936, gjatë luftës civile spanjolle; u vra vetëm pse ishte rregulltar.

Do të jetë edhe Luigi Antonio Rosa Ormières, meshtar francez e Themelues i Kongregatës së Motrave të Shën Engjëllit të Rojës, që jetoi në vitet 1800. Pasioni i tij, të formonte dishepuj të Krishtit.

Do të shpallen Shërbëtorë të Nderuar të Zotit:

Alfonso Gallegos, i Urdhërit të Agostinianëve Recolletti (20. 02. 1931 -  06. 09. 1991).

Raffaele Sánchez García, prift dioqezan (14. 06. 1911- 08. 08. 1973)

Andrea Filomeno García Acosta, Laik i  Urdhërit të Fretërve të Vegjël (10. 01. 1800 – 14. 01.1853).

Giuseppe Marchetti, Meshtar i Kongregatës së Misionarëve të Shën Karlit (03. 09. 1869- 14. 12. 1896).

Giacomo Viale, Meshtar i Urdhërit të Fretërve të vegjël (28. 02. 1830 - 16. 04. 1912).

Maria Pia della Croce (në shekull: Maddalena Notari), Themeluese e Kongregatës së Motrave të kryqëzuara Adhuruese të Eukaristisë(02. 12. 1847 – 01. 07. 1919).








All the contents on this site are copyrighted ©.