2016-07-07 08:30:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: veshja në Bibël


Në rubrikën tonë radiofonike të së enjtes, në kuadrin e shpjegimit të veprës së mëshirës, që na kërkon të veshim të zhveshurit, vijojmë të shohim si konsiderohet veshja në Bibël e në histori. Kjo na ndihmon të kuptojmë rëndësinë e kësaj vepre.

Veshja e shndërron trupin, ja përse, që nga lashtësia, rrobat konsideroheshin si thelbi i njeriut, pasi veshja ishte pjesë përbërëse e tij dhe shenjë e përkatësisë në një popull, në një klasë shoqërore, në një bashkësi. Veshja e mbron trupin jo vetëm nga të ftohtët, por edhe nga vështrimet e pamatura, që mund ta kthejnë njeriun në objekt dëshire. Veshja e ruan jetën private të secilit.

Nganjëherë, ndryshimi i veshjes është shenjë e ndryshimit të personalitetit dhe të rolit. Kështu i ndodhi Davidit, kur pranoi sfidën e Golisë: “Sauli e veshi Davidin me petkat e veta, i vuri në kokë përkrenaren e bronztë dhe e ngjeshi me pancir” (1Sam 17,38). Duke u veshur në këtë mënyrë, Davidi sikur u bë një Saul tjetër. Megjithatë, Davidit të ri nuk i pëlqyen këto veshje, sepse nuk mund të ishte një Saul tjetër, por vetvetja, nëse donte ta mundte Golinë, ashtu siç bënte me arinjtë dhe luanët, kur ishte bari.

Veshja nuk është thjesht diçka, që mbulon trupin, por është shprehje e identitetit të njeriut, që e mban. Është objekt pa jetë, që merr kuptim në çastin që vishet. Ajo krijon një lidhje të veçantë me njeriun, aq sa mund ta njohësh personin nga parfumi apo era e veshjes, që mban. Jakobi, për shembull, veshi rrobat e të vëllait Esaut, për të marrë bekimin nga Isaku, që ishte i verbër, e “Posa e dëgjoi erën e mirë të petkave të tija, [Isaku] i dha bekimin me këto fjalë: ‘Ah! Ç’erë e këndshme e djalit tim, porsi era e fushës pjellore që e bekoi Zoti ynë!’” (Zan 27,27).

Veshja zbulon personalitetin e atij, që e mban. Vërtet, e njëjta veshje e mbajtur nga njerëz të ndryshëm shpreh kuptime të ndryshme e njëkohësisht, jep mesazhe të ndryshme. “Veshja – sipas jezuitit artist, atë Rupnik – nuk është diçka anësore e nuk mund të konsiderohet thjesht si çështje kulturore e as si problem moral”, sepse ajo lidhet me vetë qenien e njeriut e është gjuhë për të komunikuar me të tjerët. Edhe në komentarin rabinik, veshja ka rëndësinë e vet. Shembullin e parë të mëshirës ndaj të afërmit e jep vetë Zoti me “malbish arumim”, pra, me veprën e veshjes së të zhveshurve.

Tekstet biblike flasin për veshje të ndryshme: për rroben e zisë e për rroben e festës e, nganjëherë, Zoti, edhe i shkëmben, siç thotë Psalmi: “Ti vajin ma ktheve në valle, ma zhveshe grathoren time e më ngjeshe me hare” (Ps 30,12). Edhe njeriu përpiqet ta ndryshojë gjendjen shpirtërore, përmes ndryshimit të veshjes. Ngjyrat, lloji i stofit, mënyra e prerjes marrin kuptime të veçanta e paqyrojnë atë njeri të veçantë.

Veshja bën të njihet jeta, ndjenjat dhe besimi i individit dhe i bashkësisë: për dikë, veshja është thjesht, diçka e nevojshme për t’u mbuluar; për dikë tjetër është objekt për t’u dukur e, në fushën shoqërore, bën të njihen rolet dhe funksionet. Në shoqërinë tonë, mbizotëron moda, që na imponon vendimet e saj e na bën të kujdesemi pak si tepër për dukjen. Përkundrazi, Shën Pjetri na kujton se veshja është mbrojtje, shprehje e modestisë dhe e rezervimit, zbukurim i njeriut: “Stolia juaj të mos jetë e jashtme - flokë të gërshetuar, stolisje me ar, veshje petkash luksi - por mundohuni të stolisni zemrën me shpirt bukurie të pakalueshme, të butë e të ëmbël, që është e çmueshme para Hyjit” (1 Pjt 3,3-4). 








All the contents on this site are copyrighted ©.