2016-07-07 18:48:00

Kaiciid: jo dhunës në emër të Zotit. Të nxitet dialogu


Stamboll, Daka, Bagdad, Medinë. Katër qytete të ndryshme, të lidhura me një vazhdë gjaku, pasojë e atentateve të ndryshme terroristike, që shkaktuan një numër të madh viktimash. Përballë këtyre ngjarjeve, Kaiciid - Qendra ndërkombëtare për dialogun ndërfetar e kulturor, që mban emrin e Mbretit Abdullah Bin Abdulaziz, themeluar më 2012, me kontributin e Selisë së Shenjtë e me seli në Vjenë - lëshoi një deklaratë në emër të pesë feve: krishterimit, budizmit, hinduizmit, islamit dhe hebraizmit.

Nuk duhet shpërdoruar feja për të përligjur dhunën  

Duke shprehur ngushëllimet për viktimat dhe afërsinë ndaj familjeve të tyre, përfaqësuesit e Kaiciid shprehin tronditjen e tyre të thellë përballë dhunës, kryer nga ata, që e shpërdorojnë fenë për të përligjur të papërligjshmen: dhunën kundër të tjerëve e kundër vendeve të kultit. Përballë krimeve të tilla, Kaiciid u bën thirrje “gjithë njerëzve vullnetmirë të bashkohen për t’iu kundërvënë çdo forme të paragjykimit përballë njerëzve të kulturave e besojmave të ndryshme fetare".

Unitet dhe dialog për pajtim

Uniteti nuk lejon asnjë formë dhune a terrori, që i largojnë popujt e kulturat nga rruga e paqes. Ta mbrojmë me vendosmëri idenë - përfundojnë përfaqësuesit e Kaiicid - se pajtimi mund të arrihet vetëm me dialog.

Skenat e atentateve

Atentatet e kujtuara nga Kaiicid ndodhën pak ditë më parë: më 28 qershor, tri kamikaze u hodhën në erë në aeroportin e Stambollit, në Turqi, duke shkaktuar vdekjen e 40 vetëve e plagosjen e 200 të tjerëve. Të premten, më 1 korrik, një komandë terroristësh hyri në një restorant të Dakës, në Bangladesh, ku vrau 20 vetë, ndërmjet të cilëve, 9 italianë. Të diel, më 3 korrik, në Irak, tre shpërthime, vepër e terroristëve të Shtetit të vetëshpallur Islamik, goditën lagjen tregtare të Karradës, në Bagdad, duke shkaktuar 250 të vdekur. Të nesërmen, në Medinë, në Arabinë Saudite, një sulm vetëvrasës pranë një gardhi të shenjtë të xhamisë së Profetit Muhamet, shkaktoi edhe katër të vdekur të tjerë.








All the contents on this site are copyrighted ©.