Sot myslimanët e mbarë botës kremtuan Festën e madhe të Bajramit. Urimet më të mira, nga ana Papës Françesku:
“Uroj që Zoti i mëshirshëm e i gjithëpushtetshëm të na ndihmojë të ecim gjithnjë gjatë shtigjeve të mirësisë e të mëshirës”.
Urimet e Papës i drejtohen botës myslimane në festë, përmes mesazhit të rastit, nga ana e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Programi i gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit bashkon zërin me këto urime e edhe me ato të të krishterëve të Shqipërisë, të Kosovës e të mbarë botës: Gëzuar festën vëllezërve myslimanë! Për shumë vjet!
Në mesazhin për Ramazanin e Id al-Fitr 2016, drejtuar botës myslimane, Kryetari i dikasterit për dialogun ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran kujton:
“Të krishterë e myslimanë janë të thirrur të bëjnë ç’është e mundur për të qenë ‘të dhimbshëm e të mëshirshëm ndaj të tjerëve’, posaçërisht ndaj nevojtarëve. Kështu mund të përfitojnë nga mëshira hyjnore, duke qenë edhe mjete të saj”.
Shtegtimi në Viset e shenjta ndihmon për të fituar ndjesën e Zotit
Përballë një mori njerëzish, që vuajnë nga dhuna e varfëria - vijon Hirësia e Tij - të krishterë e myslimanë nuk mund ta sjellin kokën nga ana tjetër. Kardinali Tauran uron që shtegtimi i myslimanëve në Viset e Shenjta të jetë kohë e përshtatshme për të provuar mëshirën e Zotit dhe nënvizon rëndësinë e vetë shtegtimit, për të fituar nga Zoti ndjesën për mëkatet tona.
Të krishterë e myslimanë t’i ndihmojnë nevojtarët, pa dallim
Eshtë jetike - lexohet në mesazh, që të gjithë të punojnë së bashku për t’i ndihmuar nevojtarët, pavarësisht nga etnia ose nga besojma e tyre fetare. Kur ne i bashkojmë përpjekjet - përfundon mesazhi - i bindemi urdhërimit të besimeve tona, duke dëshmuar mëshirën e Zotit e duke dhënë, kështu, një dëshmi më të besueshme, si individë e si bashkësi.
All the contents on this site are copyrighted ©. |