2016-07-05 12:55:00

Roy: Françesku mbështet fushatën e Karitasit për paqen në Siri


Videomesazhi i Papës Françesku për të mbështetur fushatën e Caritas Internationalis për paqen në Siri, është gjest i fortë, për të thënë me zë të lartë, së bashku me organizmin bamirës, se paqja është e mundshme në vendin e tronditur thellë nga një luftë, që vijon prej pesë vjetësh. Për mbështetjen e fushatës nga ana e Papës, intervistuam sekretarin e përgjithshëm të Caritas Internationalis, Michel Roy:

Përgjigje: - Janë më se pesë vjet, që lufta vijon ta shkatërrojë Sirinë dhe popullin e saj. Vendosëm, atëhere, ta ngrejmë pakëz më shumë zërin, ta forcojmë këtë angazhim për paqen. Pika  e parë është që, përballë një situate kaq të ndërlikuar, ne besojmë se mund të na ndihmojë veç Zoti: prej këndej, hapi i parë është të lutemi më shumë, në mbarë botën! Nuk mund të ndiqet me indiferencë kjo, që po ndodh në Lindjen e Mesme. Pika e dytë, përballë gjithë kësaj vuajtjeje, mungojnë shumë ndihmat: ndihmat humanitare nuk arrijnë tek njerëzit, që kanë nevojë në Siri. Në kampet e refugjatëve ka një farë ndihme, por në zonat e brendshme të Sirisë, të shpërngulurit janë të shumënumërt; flitet për 7-8 milionë njerëz  e ndjehet fort një krizë e tmerrshme. Bashkësia ndërkombëtare nuk i bën ballë gjithë kësaj tragjedie. Etapa e tretë e kësaj fushate, që është nga më të rëndësishmet: të pyeten qeveritë e mbarë botës,  që të angazhohen, në një mënyrë a në një tjetër, për ta lehtësuar e për të bërë presion, që kjo luftë të marrë fund. Nuk mund t’i lihet gjithçka në dorë vetëm fuqive të mëdha - si Rusia, SHBA-të ose Bashkimi Evropian; duhet të angazhohen të gjithë!

Pyetje : - Këtë Fushatë të Caritas Internationalis po e mbështet vetë Papa  përmes videomesazhit të sotëm, për të bërë, kështu, që zëri i Caritas Internationalis të ndjehet më fort …

Përgjigje: - Po, sigurisht. I jemi shumë mirënjohës Atit të Shenjtë, e kjo bën pjesë në vizionin  e tij, të cilin e kemi për detyrë ta bëjmë konkret. Ai na fton ne, Caritas Internationalis, por edhe gjithë të krishterët, gjithë njerëzit vullentmirë,  të angazhohemi  në këtë Fushatë. Nuk mund të thuhet  kurrë se ka gjëra të tepërta në këtë fushë. Jam i sigurt se ky mesazh i Papës Françesku, që e dëgjuam sot, do të ndikojë fuqimisht që të bëhet diçka për t’i dhënë fund luftës. 








All the contents on this site are copyrighted ©.