2016-07-05 12:46:00

Françesku: Siria, mjaft vendeve që flasin për paqe e shesin armë


U botua sot videomesazhi i Papës Françesku në mbështetje të fushatës së Caritas Internationalis për paqen në Siri.

Nuk nis me fjalë gazmore, Videomesazhi i Françeskut. Nis me fjalët: “Të dashur vëllezër e motra! Sot dëshiroj t’ju flas për diçka, që ma trishton shumë zemrën; për luftën në Siri, e cila tashmë hyri në vitin e pestë”.

Më pas Françesku hyn menjëherë në përshkrimin e situatës, duke folur  për vuajtje të papërshkrueshme, viktimë e të cilave është populli sirian, i detyruar të mbijetojë nën breshërinë e bombave, ose të ikë rrugë pa rrugë drejt vendeve të tjera ose zonave të Sirisë, më pak të prekura nga lufta. Të lërë shtëpitë, gjithçka…

E nësa mendon për të gjithë sirianët, pa asnjë dallim, Papës nuk mumd të mos i shkojë mendja menjëherë tek bashkësitë e krishtera, të cilat janë në qendër të vëmendjes së Atit të Shenjtë, për shkak të diskriminimit, që duhet të durojnë ditë për ditë. Më pas, denoncimi i fuqishëm, i drejtpërdrejtë, i Françeskut, kundër atyre, që e ushqejnë me armë këtë luftë, të cilën e dënojnë me fjalë:

“Ja, dëshiroj t’u drejtohem mbarë besimtarëve e edhe atyre, që angazhohen, me Karitasin, në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë. E ndërsa populli vuan, sasi të pabesueshme parash shpenzohen për t’i furnizuar ndërluftuesit me armë. E disa nga vendet furnizuese të këtyre armëve janë edhe ndërmjet atyre, që flasin për paqen! E si mund t’i besosh atij, që me dorën e djathtë të ledhaton e me të majtën të godet?”.

Papa i inkurajon, në vijim, të gjithë, të rritur e të rinj, ta jetojnë me entuziazëm këtë Vit të Mëshirës, për ta mundur indiferencën e për të shpallur me forcë se paqja në Siri është e mundshme! Paqja në Siri mund të arrihet!

E me këtë shpresë në zemër, Papa u drejton të gjithëve ftesën:

“Prandaj jemi të thirrur ta mishërojmë këtë Fjalë të Zotit: ‘Unë e di mirë synimin që e kam me ju - është fjala e Zotit ‑ synime paqeje e jo mjerimi: për t’ju dhënë një ardhmëri plot me shpresë” (Jer 29.11).

E fortë, ftesa e Papës për t’u lutur për paqen në Siri e për popullin e saj, me rastin e mbrëmësoreve të lutjes, të nismave të sensibilizimit në grupe, famulli e bashkësi, që të përhapet kudo mesazhi i paqes, mesazhi i bashkimit e i shpresës!

Lutjen, pastaj, kujton Papa, do ta ndjekin veprat e paqes:

“Ju ftoj t’u drejtoheni atyre, që angazhohen në bisedimet për paqen, për t’i marrë seriozisht këto marrëveshje e për të bërë gjithçka është e mundur, që të shpejtohet hyrja e ndihmave humanitare”.

Të gjithë duhet ta pranojnë se nuk ka rrugëzgjidhje ushtarake për Sirinë. Ka vetëm rrugë politike - mendon Papa - prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet t’i mbështesë bisedimet për paqen, drejt krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar.

E, në vijim, një thirrje e re e Atit të Shenjtë:

“T’i bashkojmë forcat në të gjitha nivelet, për të bërë që të arrihet paqja aq e dëshiruar në Sirinë e dashur. Ky, po, do të jetë një shembull vigan mëshire e dashurie, i jetuar për të mirën e mbarë bashkësisë ndërkombëtare”.

Në përfundim, bekimi papnor:

“Zoti ju bekoftë e Zoja ju ruajtët! Faleminderit!”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.