2016-07-05 17:57:00

Atentatet në Bagdad. Sako: masakër e tmerrshme, po “gjeografia” e Is ka marrë fund!


“Mesazh paqeje e reflektimi për vëllezërit myslimanë” për festën e Eid al-Fitr, me të cilën përfundoi Ramazani. Është mesazh, që vjen nga Iraku, nga patriarku kaldeas Louis Raphael I Sako, pak ditë pas atentatit të trefishtë vrasës të së dielës, në Bagdad, më gjakatari i viteve të fundit, i pranuar nga Shteti Islamik, që shkaktoi së paku 175 të vdekur. E bilanci, ende i përkohshëm, sipas  burimeve të shtypit, duhet ta ketë kaluar numrin  200 të viktimave. Por, të dëgjojmë patriarkun Sako, në intervistën dhënë Radios sonë:

Përgjigje: - I dënojmë këto sulme, masakra të vërteta. Shumë familje janë të shkatërruara. Shkova të lutem në vendin e atentateve e ndeza qirinj, së bashku me disa priftërinj. Aty pranë ishte një grua, që na tha: “Humba shtatë djemtë”. Tmerr, pra, fyerje për mbarë njerëzimin, nëpërkëmbje e të gjitha vlerave. Edhe besimtarët e famullive tona, njëri pas tjetrit,  shkuan të luten; më se njëqind vetë: gra, murgesha, burra, ecën njëzet minuta në këmbë, për t’u lutur e për t’u treguar të gjithëve praninë tonë, afërsinë tonë, solidaritetin tonë për të gjitha familjet.

Pyetje: - Ç’synim ka Daesh, Shteti i vetëshpallur Islamik? Me sa thuhet, po e humbet territorin…

Përgjigje: - Është e qartë se u erdhi fundi, “gjeografia” e tyre ka marrë fund.  Mendojnë për ideologjinë e tyre, sipas së cilës, duhet ta kenë nën sundim botën mbarë. Duan të sulmojnë çdo vend e çdo qytet e të vrasin sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, për të provokuar. Mendoj se mbarë bota duhet të bëjë diçka për ta shpartalluar këtë ideologji, jo vetëm përmes veprimtarive ushtarake, por edhe përmes një kulture të re për Islamin, përmes një Islami të moderuar.

Pyetje: - Ju a keni pasur kontakte me autoritetet irakiane, si civile, ashtu edhe fetare. Çfarë u keni uruar?

Përgjigje: - Ata janë të fyer nga gjithë kjo, janë të çkurajuar. U thashë se ka ardhur çasti për t’i kapërcyer të gjitha ndryshimet, për t’u pajtuar, për të menduar për jetën e qytetarëve e për të mbrojtur pronat e tyre. Por paqja është dhuratë e Zotit, dhuratë për ne të gjithë, për bashkëjetesën, respektin, vlerat njerëzore e të drejtat e njeriut. Duhet një qëndrim i ri, një ndryshim i mendësisë, por edhe i sjelljes.

Pyetje: - Ju jeni takuar edhe me liderët myslimanë? A e dënon bota myslimane këtë akt, e edhe veprimtari të tjera të dhunshme?

Përgjigje: - Po, shumë, edhe al-Azhar. Është një tronditje e madhe për mbarë botën.

Pyetje: - Ç’duhet bërë, sipas jush?

Përgjigje: - Jo vetëm fjalime ose dënime, por veprime konkrete në vend.

Pyetje: - Papa u lut që Zoti t’i shndërrojë zemrat e njerëzve të dhunshëm, të verbuar nga urrejtja…

Përgjigje: - Kjo është shumë e rëndësishme. Ne duhet të lutemi për këta njerëz, që janë verbuar, që nuk shikojnë. Zoti i shndritët të gjithë, që të mund të kthehen në rrugën e së mirës, të paqes, të bashkëjetesës, të respektit. Duhet vërtet një mrekulli!

Pyetje: - Në këto orë festohet Eid al-Fitr, festa islamike, që mbyll Ramazanin, muajin shenjt për myslimanët. Mesazhi i Kishës?

Përgjigje: - U drejtova një mesazh të gjithë myslimanëve, duke u kujtuar se agjërimi është çast i fortë për pendesë, për të vlerësuar situatën edhe në dritën e këtyre sulmeve, por edhe në dritën e fitores  së ushtrisë irakiane, që çliroi Falluzhën e Ramadi. Tani duhet një qëndrim i ri për t’i kapërcyer ndryshimet, duhet shkuar përtej interesave personale e duhet paraqitur një “magna charta” për ardhmërinë e Irakut të bashkuar, ku të ketë siguri, paqe e prosperitet.








All the contents on this site are copyrighted ©.