2016-07-03 14:52:00

Françesku në lutjen e Engjëllit: Zoti i ktheftë zemrat e të verbuarve nga urrejtja


Në ditën e dhimbjes së madhe, kur mbahet zi për viktimat e pafajshme të dy masakrave terroristike në Dacca të Bangladeshit e në Bagdad të Irakut, Papa, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, u lut për kthimin e njerëzve të dhunshëm: u bëri thirrje, pastaj, të krishterëve, t’ua çojnë të gjithëve një mesazh shprese, ngushëllimi, paqeje e dashurie të krishterë.  

“U shpreh afërsinë time familjarëve të viktimave e të plagosurve të atentatit, që ndodhi dje në Dacca, e edhe të atij, që ndodhi në Bagdad. Të lutemi së bashku me ta për të vdekurit e t’i kërkojmë Zotit t’ua kthejë zemrën njerëzve të dhunshëm, të verbuar nga urrejtja”.

Në katekizëm, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku, i frymëzuar nga Ungjilli i së dielës, kujtoi sesi Krishti na afroi tek Zoti:

“Zoti u bë njëri nga ne në Jezusin, Zoti mbretëron ndërmjet nesh, dashuria e Tij përdëllyese e mund mëkatin dhe mjerimin njerëzor”.

E ky është Lajmi i Mirë, që punëtorët e të korrave, misionarët për Mbretërinë e Zotit, duhet t’ua çojnë të gjithëve:

“… Një mesazh shprese e ngushëllimi, paqeje e dashurie të krishterë”.

Më pas Papa shpjegoi:

“E gjithë kjo domethënë se mbretëria e Zotit ndërtohet ditë për ditë  e i jep që mbi këtë tokë frytet e saj të kthimit, të pastrimit, të dashurisë e të ngushëllimit ndërmjet njerëzve. Gjë e bukur, eh? Ta ndërtosh ditë për ditë këtë Mbretëri të Zotit. Të mos rrënosh, të ndërtosh!”.

Po me ç’frymë duhet të punojë dishepulli i  Krishtit?

“Mbi të gjitha duhet të jetë i vetëdijshëm për realitetin e vështirë, e nganjëherë edhe armiqësor, që e pret. Jezusi thotë: ‘Po ju dërgoj si qengjat mes ujqërve!'. Tejet e qartë! Armiqësi, që është përherë në fillim të persekutimit të të krishterëve, sepse Jezusi e di që misioni pengohet nga vepra e djallit”.

Prej këndej, dishepulli duhet të përpiqet të lirohet nga kushtëzimet njerëzore, të mos ketë me vete as çantë, as trastë, as sandale, për t’ia besuar, kështu, gjithë veteveten, vetëm pushtetit të Kryqit të Krishtit:

“E kjo do të thotë të heqësh dorë nga çdo arsye e mburrjes personale, nga karrierizmi o fama, e të bëhesh mjet i përvuajtur i shëlbimit, kryer me flijimin e Jezusit”.

Ndjehet shumë nevoja për të krishterë, që e dëshmojnë me gëzim Ungjillin në jetën e përditshme.

Kështu u shpreh Papa, për të kujtuar, më pas, me mirënjohje, gjithë ata burra e gra, që e kumtojnë ditë për ditë Ungjillin: priftërinj, famullitarë të mirë, motra, misionarë e misionare. E më pas, edhe një pyetje e drejtpërdrejt:

“Sa nga ju, të rinj, tani të pranishëm në Shesh, e ndjejnë thirrjen e Zotit për ta ndjekur? Mos kini frikë! Merrni guximin t’ua çoni të tjerëve këtë pishtar zelli apostolik, që na  e dhanë këta dishepuj shembullorë”.

Së fundi, pas lutjes mariane, Papa kujtoi, në Vitin Shenjt të Mëshirës, Shën Maria Goretti-n, që Kisha do ta kremtojë më 6 korrik:

“… vashë martire që, para se të vdiste, e fali vrasësin e saj. Kjo vashë meriton sot duartrokitjen e gjithë Sheshit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.