2016-07-02 16:54:00

Papa: Evropa ka nevojë për ndryshim, të bashkohemi kundër mureve!


Të përballohen me “shpirt evropian” problematikat e kohës sonë, të shemben muret, që i ndajnë popujt e Kontinentit të Vjetër! Është nxitja e Françeskut drejtuar, përmes një videomesazhi, pjesëmarrësve në takimin “Së bashku për Evropën”, mbajtur në Munih të Bavarisë, me pjesëmarrjen e lëvizjeve të krishtera të Kishave. Papa nënvizon se Evropa duhet të bëhet përsëri “Kontinent i hapur”, që vë në qendër njeriun!

“Është koha të bëhemi bashkë, për t’i përballuar me shpirt të vërtetë evropian problematikat e kohës sonë!”. Për këtë bën thirrje Papa Françesku, në videomesazhin për ngjarjen e madhe “Së bashku, për Evropën”, transmetuar në sheshin qendror të Munihut.

Mure frike, agresiviteti dhe egoizmi e ndajnë Evropën

Papa tregon me gisht “muret e padukshme” e edhe “të dukshme”, që synojnë ta ndajnë kontinentin:

“Mure, që lartohen në zemrat e njerëzve! Mure, ndërtuar me frikë e agresivitet, me mungesë mirëkuptimi ndaj tjetrit, që ka origjinë të ndryshme a bindje të tjera fetare. Mure egoizmi politik dhe ekonomik, pa pikë respekti për jetën e dinjitetin e njeriut”.

Evropa ka nevojë për ndryshim, për rinisje nga trashëgimia e krishterë

Evropa, vijon videomesazhi, “gjindet në një botë të ndërlikuar, në lëvizje të vazhdueshme, gjithnjë më e globalizuar e, prej këndej, edhe gjithnjë më pak evrocentrike”. Një situatë kjo, që kërkon guxim për përballimin e sfidave epokale:

“Kemi nevojë për ndryshim! Evropa është e thirrur të reflektojë  e të pyesë veten nëse trashëgimia e saj e pamatshme, e përshkuar tej e mbanë nga kristianizmi, i përket një muzeu, apo është ende e aftë ta frymëzojë kulturën e t’ia dhurojë thesaret e saj mbarë njerëzimit, si gjithnjë”.

Duke iu drejtuar Lëvizjeve të krishtera, Françesku i inkurajon t’i nxjerrin në dritë dëshmitë e një shoqërie civile, që punon në rrjet për mikpritjen dhe  solidaritetin ndaj më të ligshtëve e më të varfërve, për të ndërtuar ura, për t’i kapërcyer konfliktet  e deklaruara apo ende në fasha.

Evropa të vërë në qendër njeriun e të jetë familje popujsh  

Papa vë theksin mbi historinë e Evropës, si “takim i vazhdueshëm ndërmjet qiellit e tokës”, takim që e dalloi gjithnjë njeriun evropian. E pohon përsëri me forcë se  vlerat  bazë të kristianizmit duhet të  ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje konkrete sfidave të një Kontinenti në krizë:

“Nëse mbarë Evropa dëshiron të jetë familje popujsh, të vërë në qendër njeriun, të jetë Kontinent i hapur e mikpritës, të vijojë të realizojë forma bashkëpunimi jo vetëm ekonomik, por edhe shoqëror e kulturor”.

Të krishterët të jenë farë shprese për Evropën!

Zoti, vijon Papa, sjell gjithnjë të reja, që duhet t’i presim me zemër të hapur:

“Bëni që shtëpitë tuaja, bashkësitë, qytetet - ritheksoi - të jenë laboratore  bashkimi, miqësie e vëllazërie, të aftë për të integruar, të aftë për t’ia hapur zemrat botës!”.

E më pas, thirrja:

“Së bashku për Evropën? Sot është më e nevojshme se kurrë. Në Evropën e një mori kombesh, ju dëshmojeni se jemi bij të të njëjtit Atë e vëllezër  ndërmjet nesh. Jini farë e çmuar shprese, që Evropa të rizbulojë thirrjen e saj e të kontribuojë për unitetin e të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.