2016-07-01 16:13:00

Viti Shenjt i Mëshirës. Në kërkim të deles e të drahmës së humbur


Arritëm tek emisioni i 45-të i rubrikës kushtuar Jubileut të Mëshirës,  duke ndjekur mësimet e Jezusit dhënë përmes shëmbëlltyrave. Pasi kujtuam, në emisionin e kaluar, kalimthi, shëmbëlltyrën e deles e të drahmës së humbur e të gjetur, do të ndalohemi, sot, posaçërisht tek ajo e deles së humbur. Fjala dele na kujton se Jezusi zgjedh mjediset baritore për shëmbëlltyrën e tij, por nuk është i vetmi, që flet për lidhjen ndërmjet bariut dhe deleve. Ezekieli profet tregon një shëmbëlltyrë të gjatë, kundër barinjve të Izraelit, që ka shumë mundësi ta ketë frymëzuar edhe shëmbëlltyrën e Jezusit: “Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vetë do t’i mrizoj ‑ thotë Zoti Hyj. - Të humburën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të plagosurën do ta lidh me kshtalla, të ligshtuarën do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruaj: do t’i ruaj me drejtësi”(Ez 34,15-16).

Gjithsesi shëmbëlltyra e Jezusit është paradoksale. Në skenë shikojmë një bari, që ka njëqind dele, e humb njërën, i lë të nëntëdhjetë e nëntat  në shkretëtirë e ravgon udhë pa udhë në kërkim të deles së humbur. Sapo e gjen, e vë mbi sup, kthehet në shtëpi, thërret miq e dashamirë, që të gëzohen bashkë me të. Paradoksi qëndron në pyetjen, të cilën Jezusi e bën që të theksojë përkujdesjen e bariut për delen e humbur e çkujdesjen për  grigjën. E kush do t’i linte nëntëdhjetë e nëntë dele, për të kërkuar njërën, duke mos qenë aspak i sigurt se do ta gjejë?

Rruga  paradoksale, që zgjedh bariu, shpjegon rrugën e vetë Jezusit: ata, që e mbajnë veten pa mëkat, ose që besojnë se janë të tillë, u ngjajnë nëntëdhjetë e nëntë deleve të braktisura në fatin e vet, pa bari. Të nëntëdhejtë e nëntat kanë një ndryshim themelor me të humburën: e humbura dëshiron ta kërkojnë, ndërsa të tjerat mendohet se janë të sigurta.

Gëzimi e lidh shëmbëlltyrën me jetën: gjetja e deles së humbur e mbush me gëzim bariun, e Zotin, që galdojnë më shumë për një mëkatar të kthyer, se për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë, që nuk kanë (ose e gënjejnë veten se nuk kanë) nevojë për pendesë e kthim në rrugën e Zotit: prekëse, mënyra sesi e kupton Jezusi kthimin: nuk është fryt i njeriut, që kthehet, por i veprimit të Zotit,  gjithnjë në kërkim të të humburit. Kthimi është përherë veprim hiri, të cilin na e jep ai, që e vë delen e gjetur mbi sup e kthehet në shtëpi; e me që vjen nga hiri, kthimi duhet kremtuar së bashku. Gjithsesi, nuk është e nevojshme të humbasësh, për t’u rigjetur, e as të braktisesh në shkretëtirë, për të mos u kërkuar më nga Zoti. Të gjitha veprimet i kryen bariu, jo delet. Prej këndej, për ta kuptuar zanafillën hyjnore të kthimit, Jezusi tregon, më pas, edhe shëmbëlltyrën e drahmës.

Situata e pakonceptueshme e bariut dhe e deleve, bëhet më e natyrshme, nga historia e gruas, që humbet një drahmë e mundohet në të gjitha mënyrat për ta gjetur. E kur e gjen, gruaja thërret mikeshat e saj e fqinjet  e  feston me to për drahmën e gjetur. Analog, përfundimi i shëmbëlltyrës: engjëjt dhe Zoti gëzohen qoftë edhe për një mëkatar të vetëm, që kthehet në rrugën e drejtë. Në ndryshim nga shëmbëlltyra e deles së humbur, ku vëmendja përqendrohet mbi delen, këtu vëmendja përqendrohet mbi drahmën, e cila vlen shumë më pak se një dele. Monedha nuk është frymor, gjë që e nënvizon më shumë kthimin, konceptuar jo si përgjigje njerëzore, por si veprim të hirit Hyjnor. Edhe po të ishte një mëkatar i vetëm, do t’ia vlente të kërkohej, të gjindej, të bëhej festë për kthimin e tij në grigjë.   








All the contents on this site are copyrighted ©.