2016-07-01 14:56:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit ‘C’


Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës të Dielës së 14-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë sipas kalendarit liturgjik.

Jezusi dërgon shtatëdhjetedy dishepujt dhe misionit të tyre ua bashkon lutjen, predikimin e kërkon që të jenë lajmëtarë të paqes. Dërgimi në mision i dishepujve nga Jezusi e përfshin sot Kishën mbarë, e jo vetëm disa prej anëtarëve të saj. Kumtimi i gëzueshëm i Krishtit na takon e përket nga afër, të gjithëve. Këto janë impenjimet që e karakterizojnë misionin: urata, kumtimi e varfëria. Izaia profet (I Lexim) ua ofron mesazhin e vet të gëzimit e të shpresës, Judenjve që janë kthyer nga skllavëria babiloneze e shikojnë me mosbesim: një ditë Jerusalemi do të shkëlqejë me lavdinë hyjnore. Vetë Hyji do ta ngushëllojë popullin e tij.

Të krishterëve e Galacisë shën Pali ( II Lexim) u kujton se për të qenë kumtues të paqes lypet të kesh kaluar përmes kryqit të Krishtit, mjetit të pajtimit universal. Vetë apostulli jeton vuajtjen e tij në bashkim të thellë me Krishtin, duke bartur në trupin e vet “varret” e mundimeve të Zotit Jezus.
Luka ungjilltar na flet për zgjedhjen, për përcaktimin, për dërgimin e kthimin e shtatëdhjetedy dishepujve të dërguar nga Jezusi “në çdo qytet e vend ku përgatitej të shkonte”. Pjesa e fundit e fragmentit ungjillor të kësaj së diele rrëfen eksperiencën e komunitetit të krishterë që ne shekuj e sheh përhapjen e fjalës së dashurisë së Krishtit si farën që mbinë e rritet, duke e asgjësuar të keqen.

           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 66, 10-14      
Profetët u kishin premtuar hebrenjve lumturi dhe siguri, si ajo që provon fëmija në krahët e nënës. Pas mërgimit do të lindtte një popull i ri, që do të provonte një besim të ri në Hyjin e vet. Por mërgimi kaloi dhe jeta mbeti e ashpër dhe e varfër. A ishte, pra, një iluzion paqja e premtuar? Shpresa e popullit mbeti e gjallë dhe e fortë, sepse betimi i Hyjit është gjithmonë i vlefshëm. Këmbëngulja jonë në shpresën është fytyra e dukshme e besnikërisë së Hyjit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Gëzohuni me Jerusalemin, galdoni për të ju që e doni! Galdoni me të, galdoni, të gjithë ju që qatë mbi të, që të thithni qumësht e të ngiheni prej parzmave të ngushëllimit të tij, që të dërgoni e të kënaqeni në parzmat e lavdisë së tij!
Sepse Zoti kështu po thotë: “Ja, unë po bëj të arrijë në të paqja porsi lumë, porsi përrua vërshues pasuria e popujve. Qumësht do të pini, ngrykë do të mbarteni, përmbi gjunj do t’ju përkëdhelin. Porsi nëna që ngushëllon të birin, ashtu unë do t’ju ngushëlloj; në Jerusalem ngushëllim do të gjeni.” Do të shihni, e zemra juaj do të gëzojë, si bari i njomë do t’ju përtërihen eshtrat, dora e Zotit do të dëftohet mbi shërbëtorët e tij e felgrimi i tij mbi armiqtë e tij. Fjala e Zotit.

Psalmi 66
Veprat e Zotit janë të mëdha

----- ----- -----
Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme 
janë veprat e tua!”
Le të të adhurojë mbarë toka 
e le të këndojë, 
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!
----- ----- -----
Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin:
për këtë galdojnë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.
----- ----- -----
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju 
që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çka i bëri shpirtit tim.
Qoftë bekuar Hyji që s’ma hodhi poshtë lutjen time,
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
----- ----- -----

Leximi i dytë Gal 6, 14-18
Fuqia shpëtimtare e kryqit vlen përgjith-monë dhe logjika e kryqit nuk është kurrë jashtë kohe. Nëse Jezusi ka dashur të na shpëtojë me kryqin, kjo do të thotë që kryqëzimi është rruga normale e shpëtimit. Të gjithë herët ose vonë do të thirremi në këtë provë të madhe dashurie, në të cilën njeriu arrin çlirimin e vërtetë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën. Sepse s’vlen asgjë as rrethprerja as parrethprerja, por krijesa e re. Të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull si edhe mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë!
Pas tashit askush më të mos më trazojë, sepse unë mbar në trupin tim shenjat e Jezusit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, 
dhe na e besoi neve fjalën e pajtimit. 
Aleluja

Ungjilli Lk 10, 1-12.17-20
Misionari shpall se Mbretëria është afër; nuk e bën vetëm me fjalë, por me mënyrën e tij të të sjellurit. Një dëshmi e tillë konsiston sidomos në varfërinë, që nuk është dhe aq një virtyt personal apo mungesa e mjeteve të nevojshme se sa një shenjë e gatishmërisë ndaj Ungjillit për shërbimin e vëllezërve. Jezusi dërgon të shtatëdhjetë e dy dishepujt për të treguar që lajmërimi misionar i Ungjillit është detyrë e të gjithë të krishterëve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy e dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë. U thoshte: “Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni! 
Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish! Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet, e mos përshëndetni udhës askënd! Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. 
Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër! Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’ Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tija e thoniu: ‘Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë. Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ 
Unë po ju them: Sodomasit do ta kenë më lehtë atë ditë se ai qytet.” Të shtatëdhjetë e dy nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: “Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!” Jezusi u tha: “Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!” Fjala e Zotit.

Programin kushtuar liturgjisë së Fjalës të kësaj së diele, mund të dëgjoni edhe këtu...








All the contents on this site are copyrighted ©.