Kisha indiane qan imzot Henry Sebastian D’Souza, kryeipeshkëv nderi, që e udhëhoqi Kishën e Kalkutës nga viti 1986, në vitin 2002, duke e mbështetur nga afër misionin e Nënë Terezës. Prelati, 90 vjeç, vdiq më 27 qershor në Vianney Home, të kryeqytetit indian. Funerali - sipas agjencisë AsiaNews - do të kremtohet në Kishën e Shën Tomës. Ipeshkvi i ndjerë, në shumë raste, u quajt “biri i parë shpirtëror i Themelueses së Misionareve të Bamirësisë”.
Çoi përpara procesin e lumnimit të Nënë Terezës
I njohur për revolucionarizimin e skenës edukative të kryedioqezës, imzot D’Souza ka qenë gjithnjë krahu i djathtë i shenjtores së ardhshme shqiptare, njeri që e çoi përpara edhe procesin e lumnimit të saj. Pasi mori vesh se Nënë Tereza do të shpallej shenjte, deklaroi për AsiaNews: “Jam tejet i kënaqur që Ati i Shenjtë e miratoi mrekullinë e dytë të Nënë Terezës. Nënë Tereza më ka thënë gjithnjë se ishte nëna ime dhe e vijon akoma këtë mbrojtje amtare, për mua e për mbarë njerëzimin, edhe tani, kur na shikon nga qielli.
Pati treguar jetën dhe dashurinë e jashtëzakonshme të Nënë Terezës
Në një intervistë tjetër, gjithnjë sipas AsiaNews, pati treguar me hollësi jetën e zakonshme e dashurinë e jashtëzakonshme të Nënë Terezës, duke nënvizuar veprimaritë e thjeshta fillestare të misionit të saj për të varfërit më të varfër e, mbi të gjitha, duke theksuar lëshimin e plotë të rregulltares në duart e Zotit e të vullnetit të Tij.
Qe ipeshkëv në zonën, teatër i progromeve të furishme antikristiane
Prelati i ndjerë, para se të arrinte në udhëheqjen e Kalkutës, qe kryeipeshkvi i parë i Cuttack-Bhubaneshwar, zonë që ishte teatër progromesh të furishme kundër të krishterëve. Duke folur për dëshminë e besimtarëve vendas, i pati lavdëruar shumë për vlerën e tyre: “Të krishterët tanë vdiqën për fenë, e kjo i hedh poshtë të gjitha akuzat, sipas të cilave indianët që kthehen në fenë e krishterë, e bëjnë këtë thjesht për interesa ekonomike. Forca e tyre e zelli i tyre, guximi e vetmohimi, janë dëshmi frymëzuese. E tregojnë qartë dashurinë për Krishtin”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |