2016-06-30 17:12:00

Zi në episkopat: ndërroi jetë imzot D’Souza


Pasditen e 27 qershorit, në Indi, ndërroi jetë kryeipeshkvi i nderit i Kalkutës, imzot D’Souza. Prelati i ndjerë lindi më 20 janar 1926 në Igatpuri, dioqeza e Nashikut e u shugurua meshtar më 24 gusht 1948. Me lartimin e dioqezës së Kalkutë- Bhubaneswar në seli metropolitane, më 24 janar 1974, u emërua kryeipeshkëv. Shugurimin ipeshkvnor e kishte marrë një vit më parë, më 5 maj. Më 29 mars qe transferuar si ipeshkëv ndihmës në Kalkutë, ku do të vijonte t’i printe kryedioqezës, si kryeipeshkëv, duke nisur nga 5 prilli 1986. Hoqi dorë nga qeverisja, më 2 prill 2002. Ishte, pra, një nga njerëzit që e ndoqi nga afër Nënë Terezën, kur shkelte nëpër rrugët e botës së sëmurë, për ta shëruar nga plaga e mjerimit e edhe kur lindte për qiell, më 5 shtator 1997.

Prandaj po i kujtojmë kaq me hollësi datat e jetës së tij. Sepse përkojnë me  jetën tjetër të madhe, të jashtëzakonshme, që na përket të gjithëve: me jetën e Nënë Terezës, të cilën kryeipeshkvi indian e ndoqi hap pas hapi e hap pas hapi edhe e përkrahu. Për të ardhur keq që shkoi, pa e parë të Lumen në nderimin e shenjtërisë. Po ne, katolikët, besojmë ngultas se këtë ngjarje kaq të madhe, sa për shqiptarët, aq edhe për indianët, ipeshkvi i ndjerë i Kalkutës do ta ndjekë nga qielli, ku shpresojmë të ketë arritur, si njeri shenjt, që mbështeti fuqimisht një Shenjtore si Nënë Tereza, ndoshta më e madhja e kohëve moderne, që u flet të gjitha zemrave, me vepra, jo me fjalë!                          

 








All the contents on this site are copyrighted ©.